Bota

Amerika-Iranit: Nuk mund ta ndalim Izraelin, nëse e sulmon sërish!

“Administrata amerikane ka paralajmëruar Teheranin se nuk do të mund ta ndalë Izraelin, nëse Irani kryen tjetër sulm kundër shtetit hebraik”. Kjo raportohet nga platforma Axios, duke cituar një zyrtar të SHBA-ve dhe një ish-zyrtar izraelit, në dijeni të zhvillimeve.

Pas sulmit të Iranit kundër Izraelit, më 1 tetor, si përgjigje ndaj vrasjeve të disa figurave të lidhura me Republikën Islamike në Lindjen e Mesme, izraelitët janë përgjigjur me sulme në pika ushtarake iraniane, ndonëse nuk kanë goditur zonat bërthamore apo ato për prodhimin e naftës, siç edhe frikësoheshin disa.

U kemi thënë iranianëve se nuk do të mund ta ndalim Izraelin e nuk mund të garantojmë që sulmi i radhës do të jetë i kalibruar si i mëparshmi, u shpreh një zyrtar amerikan për platformën Axios por që nuk pranoi të identifikohej.

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, dje u zotua se do të hakmerret kundër sulmeve të Izraelit dhe aleatëve të tij, Shteteve të Bashkuara, që kanë shënjestruar Teheranin e grupet që mbështet në rajon.

Armiqtë, si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe regjimi zionist e dinë se do të përballen me përgjigje të ashpër për atë që janë duke bërë kundër Iranit, kombit iranian e Frontit të Rezistencës, deklaroi Khamenei në një fjalim para studentëve në Teheran.

Ai iu referua aleancës së grupeve të armatosura që përkrahen prej Iranit, përfshirë rebelët Huthi të Jemenit, Hezbollahun e Libanit dhe Hamasin palestinez. Hamasi dhe Hezbollahu janë shpallur grupe “terroriste” nga Shtetet e Bashkuara. Tensionet rajonale janë përshkallëzuar prej shpërthimit të luftës në Gaza, në tetor të vitit të kaluar.

Lufta është nxitur nga sulmet e militantëve të Hamasit në jug të Izraelit, duke vrarë 1.200 njerëz dhe marrë peng rreth 240 të tjerë. Si pasojë e fushatës izraelite në Gaza janë vrarë më shumë se 43.000 njerëz, shumica gra e fëmijë sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Hezbollahu, i mbështetur nga Irani, ka sulmuar zonën kufitare me Izraelin, si shenjë mbështetjeje për aleatin palestinez Hamasin. Prej ofensivës së Izraelit në Liban, në fillim të tetorit, janë vrarë të paktën 2.890 persona, referuar autoriteteve libaneze.

Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur se do të pozicionojnë asete ushtarake shtesë në Lindje të Mesme, përfshirë shkatërrues të raketave balistike dhe avionë luftarakë me rreze të gjatë. Ky njoftim është parë si paralajmërim për Iranin.