Bota

Amerika godet duke sulmuar një grup aleat të Iranit në Siri!

Forcat amerikane kanë kryer sulme kundër objektivave të lidhura me një grup në Siri e që mbështetet nga Irani, siç dhe raportoi ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërkaq, një grup monitorues vuri në dukje se nga sulmet amerikane janë vrarë pesë luftëtarë.

Këto goditje ishin në përgjigje të një sulmi me raketa ndaj trupave amerikane në Siri, bëri të ditur Komanda Qendrore amerikane (CENTCOM).

Sulmet kishin për shënjestër “një depo të armëve dhe një seli të logjistikës… në përgjigje të një sulmi me raketa ndaj personelit amerikan”, deklaroi CENTCOM përmes një postimi në rrjetet sociale, por nuk e identifikoi grupin e sulmuar.

Nuk kishte dëme në ndërtesat e Shteteve të Bashkuara e as të plagosur në mesin e personelit amerikan apo të forcave partnere gjatë këtij sulmi, shtoi CENTCOM.

Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut, një grup që monitoron luftën në Siri, tha se “pesë luftëtarë proiranianë u vranë dhe disa të tjerë u plagosën, pasi u goditën nga avionët luftarakë amerikanë” në një nga bazat e tyre në qytetin e Albukamalit, në provincën lindore siriane të Deir Ezorit.

Në fillim javë, forcat amerikane bombarduan nëntë objektiva që ishin të lidhura me grupet e mbështetura nga Irani, në përgjigje të sulmeve të fundit me raketa dhe dronë, deklaroi Pentagoni.

Vëzhguesi tha se nga këto sulme u vranë katër anëtarë të grupeve besnike ndaj Iranit. Ushtria amerikane ka afro 900 trupa në Siri dhe 2 mijë e 500 në Irak, si pjesë e koalicionit ndërkombëtar që u krijua më 2014-ën për të ndihmuar në luftën ndaj grupit ekstremist, Shteti Islamik.

Që kur ka nisur lufta në Gazë, tetorin e vitit të kaluar, grupet proiraniane, vazhdimisht kanë shënjestruar forcat amerikane në Siri e në Irak, në përgjigje për mbështetjen që Uashingtoni i ofron shtetit hebre. Në shumë raste, Shtetet e Bashkuara u janë përgjigjur këtyre sulmeve, duke kryer bombardime ndaj grupeve që mbështeten nga Republika Islamike.