Bota

Amerika do t’i dërgojë Ukrainës edhe një kundërajror Patriot!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i dërgojnë Ukrainës edhe një sistem tjetër kundërajror të llojit Patriot, siç njoftuan dy zyrtarë amerikanë orët e fundit. Uashingtoni zyrtar i është përgjigjur lutjeve dëshpëruese të Kievit për ta ndihmuar me më shumë mbrojtje ajrore, pasi është duke u përballur me sulme të pareshtura ruse në rajonin verilindor, Harkiv.

Zyrtarët thanë se presidenti amerikan, Joe Biden, e ka dhënë pëlqimin për këtë vendim. Ky do të jetë kundërajrori i dytë Patriot që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia dhurojnë Ukrainës edhe pse kohë pas kohe, Pentagoni i ka dhënë Kievit një numër të pazbuluar raketash për këtë sistem kundërajror.

Aleatë të tjerë, përfshirë Gjermaninë, gjithashtu i kanë dhënë Ukrainës kundërajrorë e municione për ta. Më 10 maj, forcat ruse nisën një ofensivë të re në Harkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, që ndodhet rreth 34 kilometra larg kufirit rus. Analistët e kanë përshkruar ofensivën si përpjekje për të krijuar “zonë neutrale”, përmes së cilës mbrohet territori i Rusisë.

Në mesin e majit, komandanti i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskiy, tha se Rusia e ka zgjeruar ofensivën në një vijë prej 70 kilometrash, në përpjekje për të detyruar Ukrainën që të angazhojë edhe rezervistët.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ndër mbështetësit kryesorë të Ukrainës. Përveç ndihmës ushtarake për Ukrainën, në vlerë 61 miliardë dollarësh, të miratuar nga Kongresi Amerikan më herët gjatë vitit, në fillim të muajit, shefi i Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden propozoi edhe një paketë tjetër në vlerë 225 milion dollarësh e që përfshin municione, raketa, mortaja, artileri dhe raketa për mbrojtje ajrore.

Lufta në Ukrainë nisi më 24 shkurt të vitit 2022 e vijon prej mbi dy vitesh. Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë gjetur vdekjen mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.