Aktualitet Politikë

Ambasadori Gonzato: SPAK-u të lejohet të punojë/Flet dhe për Reformën Zgjedhore!

Nga Shkodra, ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë, Silvio Gonzato tha se Reforma në Drejtësi po funksionon e shtoi se duhet lejuar SPAK-u të bëjë punën, duke i lënë hapësirë.

Ne nuk flasim per hetime që po zhvillohen, por mund të them se ajo që po ndodh është ajo që ne kemi pritur. Dhe natyrisht se Reforma në Drejtësi e vitit 2016 është duke funksionuar. Ne duhet të lejojmë SPAK-un të bëjë punën e tij, të krijojmë hapësirën që ta bëjnë këtë. Në të njëjtën kohë mund të them se ndoshta ajo reformë siguron se sistemi gjyqësor është i pavarur, i pavarur nga ndikimi politik.

Problemi që të gjithë e dimë e që është pengesa kryesore e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së, është korrupsioni. Mendoj se është sinjal i mirë, unë besoj e shpresoj se SPAK-u do të bëjë punën e tij. Ne nuk duam të shikojmë aspektin ndëshkues, por edhe strukturën, atë mjedis që krijon këtë mundësi për korrupsion, të adresohet.

Më tej, foli për Reformën Zgjedhore e vuri në dukje se duhet të ndiqen rekomandimet e OSBE-së. Diplomati shfaqi shpresën që partitë të gjejnë rrugën, në përgjigje të pritshmërive të qytetarëve shqiptarë. Sipas ambasadorit të BE-së, zgjedhjet e ardhshme duhet të shmangin një rezultat, që mund të kontestohet.

Kjo është diçka që më ka shqetësuar që në fillim kur erdha në Shqipëri dhjetorin e kaluar. Dhe unë e kam bërë të qartë qëndrimin tim, bazuar edhe në dokumentin zyrtar tonin. Eshtë e rëndësishme të ndjekin rekomandimet e OSBE-së e të bëhet në mënyrë gjithëpërfshirëse. Kam shpresuar se kontaktet me partitë e ndryshme do të jepnin rezultat. Gjithashtu, tani di se janë edhe disa çështje të tjera që duhen adresuar, që është vendimi i Kushtetueses, i cili duhet parë sërish.

Ende shpresoj që partitë do të gjejnë rrugën, në përgjigje të pritshmërive të qytetarëve shqiptarë e të sigurojnë se zgjedhjet e ardhshme të bëhen në klimën më të favorshme të mundshme. Ne duam të shmangim një rezultat elektoral, i cili ndoshta kontestohet. Duam që zgjedhjet të bëhen në mënyrën e duhur, që sjell stabilitetin që Shqipërisë i duhet në rrugën drejt BE-së.  Këto janë kohë vendimtare ku negociatat me BE-në shkojnë në një fazë të caktuar dhe neve na nevojitet kapacitet administrativ e vendosmëri politike për integrimin europian.