Bota

Ambasadat e Izraelit në shënjestër të sulmeve në Danimarkë e Suedi!

Policia në Danimarkë njoftoi se dy shpërthime ndodhën natën e kaluar në afërsi të Ambasadës së Izraelit në Kopenhagen. Në një postim në platformën X, policia tha se nuk ka të plagosur e ka nisur hetime. Forcat e rendit nuk ofruan detaje për dëmet që mund të jenë shkaktuar dhe shtuan se është herët të thuhet nëse shpërthimi kishte objektiv selinë diplomatike.

Dje në mbrëmje, zona përreth ambasadës izraelite në Stokholm të Suedisë u mbyll gjithashtu, pasi u raportua për “një zhurmë të fortë”. Më vonë, mediat suedeze raportuan se objekti ishte sulmuar me plumba.

Këto zhvillime vijnë në kohën kur Izraeli po kryen një operacion tokësor në Libanin e jugut, kundër objektivave të Hezbollahut, grupit të cilësuar “terrorist” nga Amerika. Izraeli është duke vazhduar edhe sulmet në Gaza prej rreth një viti.

Më 7 tetor të vitit të kaluar, Izraeli u sulmua nga Hamasi  që vrau mbi 1.200 njerëz dhe mori peng qindra të tjerë. Në përgjigje, Izraeli po kryen një fushatë të ashpër sulmesh në enklavën e banuar me palestinezë, e cila kontrollohet nga Hamasi. Mbi 42.000 njerëz janë vrarë atje që nga fillimi i luftës, sipas autoriteteve të Hamasit palestinez, i shpallur “terrorist” nga SHBA-të e BE-ja.

Izraeli kreu sulme të reja në kryeqytetin e Libanit, Bejrut. Në një postim në platformën X, ushtria tha se shënjestra të goditjeve ishin “objektivat terroriste”. Po ashtu, shtoi se ka lëshuar disa urdhra evakuimi për njerëzit që jetonin në ndërtesat në periferitë jugore të Bejrutit.  Për momentin, nuk ka raportime për viktima.

Benjamin Netanyahu deklaroi se Irani “kreu gabim serioz” duke sulmuar Izraelin dhe theksoi se do të paguante “çmimin”. Kryeministri foli në një video-mesazh pasi Republika Islamike hodhi 180 raketa në Izrael dje në mbrëmje, shumica e të cilave u kapën nga mburoja raketore izraelite.

Lloyd Austin njoftoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës “kapën disa raketa” që Irani i hodhi në drejtim të Izraelit. “Ne e dënojmë këtë akt të egër të agresionit nga Irani dhe i bëjmë thirrje të ndalojë çdo sulm të mëtejshëm”, apeloi shefi i Pentagonit.

Presidenti francez Macron dënoi “me fjalët më të forta sulmet e reja të Iranit kundër Izraelit” dhe tha se Parisi “mobilizoi” burimet ushtarake në Lindjen e Mesme për të kundërshtuar kërcënimin e Teheranit. Macron bëri thirrje që “Hezbollahu të ndërpresë veprimet terroriste kundër Izraelit e popullsisë së tij”, duke kujtuar se Franca është “e përkushtuar ndaj sigurisë së shtetit hebre”.