Aktualitet

Ambasada Amerikane Tiranë: Nuk ka ndryshuar pozicioni ynë për non gratat!

Pak ditë pasi Apeli vendosi t’i kthejë vulën e Partisë Demokratike ish-kryeministrit Sali Berisha, reagon ambasada amerikane në vendin tonë. Për Top Channel, selia diplomatike e Uashingtonit konfirmoi qëndrimin e pandryshuar se nuk angazhohet me personat e shpallur “non grata”.

Në të njëjtën kohë, vuri vë theksin te fakti se të gjithë “duhet të shqyrtojnë me kujdes se si punojnë me individë të shpallur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Duke theksuar qëndrimin e presidentit Joe Biden se lufta kundër korrupsionit është çështje e sigurisë kombëtare për Amerikën, ambasada nënvizoi mesazhin se angazhimet me aktorët politikë do të mbështeten fort te përkushtimi që ndajnë ndaj së ardhmes euro-atlantike të Shqipërisë, përfshirë sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.

 Reagimi i Ambasadës:

Pozicioni ynë në lidhje me individët e shpallur non-grata mbetet i pandryshuar: ne nuk angazhohemi me persona të shpallur sipas autoritetit të sanksioneve të SHBA dhe të gjithë duhet të shqyrtojnë me kujdes se si punojnë me individë të shpallur nga SHBA.

Angazhimet tona me aktorët politikë do të mbështeten fort tek përkushtimi që ndajmë ndaj së ardhmes euro-atlantike të Shqipërisë, përfshi sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.

Siç ka vërejtur Presidenti Biden në mënyrë të përsëritur, lufta kundër korrupsionit është një çështje e sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara.