Tech

Amazon heq dorë nga blerja e fshesave iRobot!

Amazon ka hequr dorë nga blerja e planifikuar prej 1.4 miliard dollarësh të kompanisë së fshesave robotike, iRobot, pas kundërshtimit të BE-së ndaj marrëveshjes. Bëhet e ditur se, Amazon do t’i paguajë një tarifë prej 94 milionë dollarëve iRobot, e cila menjëherë ka njoftuar se do të largojë nga puna shefin ekzekutiv dhe 31% të fuqisë së saj punëtore.

Të dy kompanitë në një deklaratë të përbashkët njoftuan se marrëveshja e tyre nuk kishte rrugë të hapur drejt miratimit rregullator në BE. “Pengesat e panevojshme i dekurajojnë sipërmarrësit, të cilët duhet të jenë në gjendje ta shohim blerjen si rrugë drejt suksesit dhe kjo dëmton si konsumatorët ashtu edhe konkurrencën”,-tha këshilltari i përgjithshëm i Amazon, David Zapolsky.

Komisioni Evropian ngriti zyrtarisht shqetësimet për marrëveshjen në nëntor të vitit të kaluar me arsyen se ajo mund të kufizojë konkurrencën në tregun e fshesave robotike. Që nga viti 2022 kur Amazon njoftoi për marrëveshjen në përpjekje për zgjerimin e linjës së pajisjeve shtëpiake inteligjente, ajo ishte nën shqyrtim nga Komisioni Federal i Tregtisë (FTC).

Rikujtojmë, se Amazon u gjobit së fundmi me 32 milionë euro në Francë për mbikëqyrje të tepruar të punonjësve të saj, duke përfshirë masat e paligjshme të vëzhgimit të të dhënave. CNIL njoftoi se Amazon France Logistique, e cila menaxhon magazinat, regjistroi të dhëna të kapura nga skanerët e shenjave të dorës së punonjësve. Ai zbuloi se Amazon e gjurmonte aktivitetin e tyre në mënyrë të saktë, gjë që u kundërshtua nga kompania. “Nuk jemi dakord me gjetjen e CNIL. Janë të dhëna të pasakta”, reagoi Amazon.