Aktualitet

Altin Dumani: Fokusi i SPAK, zyrtarët e lartë, ish-kryeministra, ministra e deputetë!

Kreu i SPAK, Altin Dumani ka deklaruar se Prokuroria e Posaçme ka dhënë rezultate të prekshme, duke proceduar penalisht personazhe që deri dje as nuk imagjinoheshin që të prekeshin.

Në Forumin Rajonal për Politikat e Mirëqeverisjes, Dumani u shpreh se fokusi i SPAK janë figura të larta shtetërore, duke përmendur ish-kryeministra, ministra, deputetë apo gjyqtarë.

Dumani u shpreh se “kemi arritur të sekuestrojmë dhe konfiskojmë vlera të konsiderueshme që mund të shkojnë deri në 150 milionë euro”.

“Po të shikosh lariminë e subjekteve që ne kemi arritur të ngremë akuza apo i kemi në hetim tregon se ne shikojmë zyrtarë të nivelit të lartë, në rang ish-kryeministri, ish zv.kryeministri, ministra, deputetë, gjyqtarë, punonjës policie, kryetare bashkie, ish kryetarë bashkie. Këto duhen parë si një indicie si një shenjë se SPAK po matarohet dhe është në gjendje për të patur një vendim fajësia.  Sa i takon krimit të organizuar kemi patur rezultate të prekshme, duke proceduar penalisht personazhe që deri dje as nuk mendoheshin të prekeshin”, u shpreh Altin Dumani.

Altin Dumani: Për të qenë të suksesshëm në luftën kundër korrupsionit., vlerësoj se është e nevojshme të kemi disa mjete apo instrumente në dorën tonë. Shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor e kanë kuptuar këtë dhe të gjithë janë të njëjtin trend duke krijuar struktura të posaçme antikorrupsion, prokurori speciale kundër krimit të organizuar.

Kjo është gjeja e parë që duhet ndërmarrë me qëllim të qenit të suksesshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Po ashtu është e nevojshme edhe një legjislacion të mirë dhe ne në Shqipëri po, kemi legjislacion të mirë. Kemi edhe garanci kushtetuese dhe ligjore që kjo strukturë e posaçme të ushtrojë në mënyrë të pavarur funksionet e saj.

Tjetër faktor i rëndësishëm është pasja e një infrastrukture të përshtatshme. Investimi në teknologji. Krimi ka evoluar, format e shfaqjes së tyre janë shumë të sofistikuara dhe ne na bie barra që të përshtatemi. Kjo na detyron që të bëjmë investime në teknologji. Ne si SPAK kemi investuar në këtë drejtim.