Sport

Alen Sherri: Po jetoj ëndrrën në Itali

Në një intervistë për faqen zyrtare të klubit të Kaljarit, portieri Alen Sherri ka deklaruar se fillimisht transferimi në një klub italian ngjante si një ëndërr.

“Për ne shqiptarët, Seria A dhe futbolli italian janë referencë për ata që duan të luajnë futboll. Ne jemi njerëz të afërt, të ngjashëm në shumë aspekte, dhe kështu të gjithë synojnë të kalojnë detin, të vijnë këtu dhe të konkurrojnë. Unë vij nga Shkodra që është një qytet ku futbolli është pothuajse një fe dhe përfaqëson shumë në nivel kulturor, në këtë kuptim kjo më ka ndihmuar që ta jetoj punën time me pasion dhe ambicie. Ka shumë tipare të përbashkëta mes Shkodrës dhe Sardenjës, Kaljarit në veçanti”,-ka deklaruar Sherri.

“Po ndihem shumë mirë dhe nuk e prisja, nuk është kurrë e lehtë të arrish në një realitet të ri, të nivelit të lartë dhe të fillosh menjëherë në këmbën e duhur, duke gjetur ndjenjën e duhur me shokët e skuadrës, stafin dhe njerëzit që punojnë në klub. Ardhja te Kaljari ? Nuk e besova, mendova se ishte diçka e pamundur, pastaj gradualisht u bë më e arritshme dhe isha vërtet i lumtur. Kam ardhur nga dy sezone të rëndësishme për mua, me fitoren e titullit kombëtar dhe të Kupës, shpresoj të sjell një eksperiencë ndërkombëtare këtu te Kaljari dhe të jem gati sa herë që të thirrem. Në Serie A dhe në futbollin italian lojtarët kanë një ritëm të ndryshëm: janë më të fortë, më të aftë, trajnerët kërkojnë diçka më shumë dhe duhet të jesh në lartësinë e detyrës në çdo situatë. Të shikoje “Unipol Domus” gjithmonë plot në ndeshjet e para të sezonit ishte emocionuese, stadiumi vibronte dhe jepte një energji të çmendur. E bukur, por në Vale d’Aosta ishte e pabesueshme të shihje kaq shumë njerëz në stërvitje, shumë njerëz gjithmonë të gatshëm dhe të etur për të na përqafuar dhe për të kërkuar një foto ose një autograf”,-vijon ish-portieri i Egnatias.

Sherri ka folur edhe për idhujt e tij: “Më ka pëlqyer gjithmonë  Manuel Nojer dhe ai ishte një referencë për stilin dhe karakteristikat. Iker Casillas ishte gjithashtu një lojtar që e vlerësoja, edhe pse nuk jam shumë afër tij për sa i përket karakteristikaveUnë jam një tifoz i Real Madridit, gjithmonë kam admiruar Kristiano Ronaldon për përkushtimin, profesionalizmin dhe ambicien e tij për të punuar shumë për të arritur qëllimet”,-përfundon Sherri.