Bota

Aleatët e zv.presidentes Harris fajësojnë presidentin Biden për humbjen e saj!

Emri Joe Biden nuk ishte në fletëvotime në zgjedhjet e 5 nëntorit por historia mund ta kujtojë humbjen e madhe të Kamala Harris-it edhe si humbjen e tij. Pas fitores bindëse të presidentit të zgjedhur Donald Trump, disa nga mbështetësit e zv.presidentes po shprehin pakënaqësinë e tyre duke thënë se fakti që Biden priti deri në verë për t’u tërhequr nga gara, pavarësisht shqetësimeve të hershme të votuesve për moshën e tij, inflacionin pas pandemisë, si dhe për gjendjen në kufirin SHBA-Meksikë, vulosi humbjen e Shtëpisë së Bardhë nga partia e tij.

Përgjegjësia më e madhe për këtë humbje është e presidentit Biden, thotë Andrew Yang, i cili kandidoi kundër Biden-it në vitin 2020 për emërimin e Partisë Demokrate dhe e mbështeti kandidaturën e pasuksesshme të Harris-it. Nëse ai do të kishte dhënë dorëheqjen në janar e jo në korrik, ne mund të ishim në një situatë shumë të ndryshme.

Biden largohet nga posti pasi i nxorri Shtetet e Bashkuara nga pandemia më e keqe prej një shekulli e nxiti mbështetjen ndërkombëtare për Ukrainën pas agresionit të Rusisë. Po ashtu miratoi një paketë prej 1 trilion dollarësh për infrastrukturën në vend e që do të ketë ndikim për vite me radhë.

Por pasi kandidoi katër vjet më parë kundër Trump-it për të “rikthyer shpirtin e vendit”, Biden do t’ia përcjellë postin paraardhësit të tij pas vetëm një mandati. Trump është zotuar ta reformojë rrënjësisht qeverinë federale dhe të tërhiqet nga shumë nga prioritetet e Biden-it.

Ndoshta pas 20 ose 30 vjetësh, historia do ta kujtojë Biden-in për disa nga këto arritje, thotë Thom Reilly, bashkëdrejtor i Qendrës për një Demokraci të Pavarur dhe të Qëndrueshme në Universitetin Shtetëror të Arizonës.

Por në një të ardhme afatshkurtër do të jetë e vështirë që ai t’i shmanget trashëgimisë së të qenit presidenti që mundi Donald Trump-in vetëm për t’i hapur rrugën një administrate tjetër të Donald Trump-it, katër vjet më pas.

Dje Biden nuk e përmendi drejtpërdrejt pakënaqësinë e elektoratit ndaj presidencës së tij por tha se amerikanët do të ndjejnë efektet e nismave legjislative të administratës që ka drejtuar për vitet në vijim.

Mos harroni gjithçka që arritëm, tha Biden në një fjalim të shkurtër në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë ku morën pjesë anëtarë të kabinetit dhe ndihmës të lartë por jo Harris. Ishte një presidencë historike, jo sepse unë jam president por falë asaj që kemi bërë. Asaj që keni bërë ju.

Matt Bennett, nënkryetar ekzekutiv i grupit “Rruga e Tretë”, një aleat i demokratëve, tha se është momenti më i vështirë i partisë.

Harris u vu në një pozitë shumë të vështirë, pjesërisht për shkak të Biden-it e pjesërisht për arsye të tjera. A do të ishin në një pozitë më të mirë demokratët nëse Biden do të ishte tërhequr më herët? Nuk e di nëse mund ta themi me siguri, por kjo është një pyetje e vlefshme.