Së fundmi, ylli i muzikës pop Dua Lipa ka përfunduar albumin e saj të tretë. Këngëtarja bëri bujë të madhe me albumin “Future Nostalgia” i cili ka thyer rekord. Fituesja e një sërë çmimeve ka kaluar tashmë qindra orë në studio në mes të turneut të saj botëror. 27-vjeçarja shpreson që të lançojë albumin apo këngët e reja para fundit të vitit 2023. Një burim tha për The Sun se:
Albumi i tretë i Dua-s është vërtet personal për të dhe ajo ka qenë e pranishme në çdo hap. Ajo ka kaluar qindra orë në studio dhe ka shkruar për çdo këngë, kjo është me të vërtetë e rëndësishme për të. Dua ka qenë shumë e qartë për drejtimin e saj për ta mbajtur atë optimiste dhe argëtuese, por ajo do të jetë shumë më zbuluese në tekstet e saj.
Burimi la të kuptohet edhe për bashkëpunime të mëdha në album pasi shumë artistë kanë kërkuar të punojnë me të. “Future Nostalgia” në mars 2021 fitoi çmimin “Grammy” për ‘albumin më të mirë’ dhe kënga e saj “Don’t Start Now” arriti sukses të jashtëzakonshëm duke përfshirë disa nominime. Dua së fundmi përfundoi edhe turneun “Future Nostalgia” pas dhjetë muajsh udhëtime nëpër botë.
Ndërkaq, Lipa është shumë krenare për origjinën e saj dhe këtë e vërteton sa herë që i jepet mundësia. Pas marrjes së nënshtetësisë shqiptare dhe kalimit të pushimeve në jug të vendit, duket se ylli i muzikës pop po mendon të ketë një rezidencë personale pikërisht në këtë zonë turistike.
Mediat amerikane shkruajnë se Dua po ndërton një rezidencë superluksoze në Sarandë, përballë ishullit grek të Korfuzit, me pamje nga deti Jon. Lipa, e lindur në Britani nga prindër shqiptarë, Anesa dhe Dukagjin Lipa, iu dha shtetësia shqiptare në nëntor nga presidenti Bajram Begaj.