Aktualitet Music

Albina dhe Familja Kelmendi do të na përfaqësojnë në Eurovizion!

Me këngën “Duje” Albina dhe Familja Kelmendi do të përfaqësojnë Shqipërinë në Eurovision 2023. Mbrëmë në finalen e edicionit të 61-të të Festivalit të Këngës në RTSH, morën votat maksimale nga publiku, për ta dërguar “logon” e Shqipërisë në skenën e madhe të këngës së Europës.

Ju dua shumë do ju përfaqësoj në mënyrën më të mirë të mundshme. Ju falenderoj shumë, ju përulem!

Gjithashtu, Albina dhe Familja Kelmendi fituan çmimin e dytë, në vlerësimin e jurisë profesioniste. Fituesja e çmimit të parë ishte Elsa Lila, e cila u prezantua me këngën “Evita”. E rikthyer në garën e këtij festivali pas 25 vitesh, këngëtarja u shpreh:

Ndiej shumë në këtë moment! Dhe e kam shumë të vështirë ta përmbledh, gjithnjë lëmsh dhe një histori që më rikthen pas në vite. Gjithë kjo falë jush, inspirimit tuaj, dashamirësisë së jurisë e një orkestre të mrekullueshme, falë një stafi të palodhur dhe vajzës sime që më dha kaq inspirim! Ju falënderoj nga zemra për emocionet që më keni dhënë gjatë Festivalit. Jam shumë e lumtur që ju e pëlqyet këngën, e perceptuar dhe jam e lumtur që edhe pse nuk kanë kaluar as dy ditë, ju e këndoni.

Vendi i tretë u plotësua nga 2 Farm me këngën “Atomike”, ndërsa Çmimi i Karrierës i shkoi këngëtares Rovena Dilo. Eurovision 2023 do të mbahet në Liverpool, pasi Orkestra Kalush nga Ukraina ku luftohet fitoi konkursin e këtij viti, por organizatorët vendosën ta mbanin në një tjetër vend për shkak të luftës ruse që vazhdon prej 24 shkurtit.