Rajoni

Albin Kurti viziton Shkupin pas incidentit ku u përfshi Vjosa Osmani!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po viziton Maqedoninë e Veriut ku do të takojë homologun Hristijan Mickoski. Vizita vjen në kohën kur raportet mes dy shteteve janë acaruar për shkak të një incidenti më 1 gusht në Aeroportin e Shkupit me presidenten Vjosa Osmani. Për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu deklaroi:

Kryeministri Kurti, i shoqëruar nga ministra të kabinetit qeveritar do të zhvillojë një vizitë pune në Maqedoninë e Veriut. Atje do të ketë një takim bilateral me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, me të cilin do të diskutojnë rreth raporteve bilaterale, bashkëpunimit rajonal dhe projektet infrastrukturore me interes për dy shtetet. Realizimi i kësaj vizite është dakorduar me 20 korrik.

Kurti ende nuk ka reaguar për incidentin ku u përfshi numri një i shtetit. Më herët, analistët në Kosovë kanë raportuar se dy drejtuesit kanë mosmarrëveshje lidhur me çështje të ndryshme dhe raportet e tyre kanë pësuar një tjetër “krisje”.

Kosova i dërgoi notë proteste Maqedonisë së Veriut, duke i kërkuar sqarime dhe hetim të rastit të 1 gushtit. Presidenca kosovare deklaroi se një pjesëtar i sigurimit të Aeroportit të Shkupit u përpoq t’i marrë telefonin personal presidentes Osmani, në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike. Dhe jo vetëm kaq:

Përkundër se i janë bërë të ditura rregullat diplomatike, sigurimi ka tentuar fizikisht ta shtyjë presidenten, me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën. Ndodhitë e 1 gushtit nuk mund të vlerësohen ndryshe, veçse një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident.

Shkupi zyrtar nisi hetime. Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut shprehu keqardhje për “keqkuptimet” që ndodhën gjatë udhëtimit të Osmanit përmes Aeroportit të Shkupit. Ndërkaq, nga Aeroporti i Shkupit u shprehën se e kanë për “detyrim ligjor” të kontrollojnë të gjithë udhëtarët, bagazhet dhe mallrat, përfshirë ata që udhëtojnë në zonën VIP të aeroportit”.

Ngjarja në Aeroportin e Shkupit u dënua nga figura politike opozitare në Maqedoninë e Veriut, edhe nga kryetari i VLEN, Arben Taravari. Koalicioni VLEN është pjesë e qeverisë të udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja e Mickoskit. Ky koalicion, i përbërë nga parti që më herët ishin në opozitë, u përkrah nga Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, që kishte anëtarë në listën zgjedhore të VLEN. Reagim pati edhe nga Ali Ahmeti.