Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ka kërkuar që të plotësohen tri kushtet e vëna nga ai ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, që të zhvillohet takim bilaterial në Bruksel.
Ai ka deklaruar të mërkurën pas takimit se Qeveria ka shprehur qëndrimin e saj për zbatimin e Marrëveshjes Bazike, që ishte dakorduar në shkurtin e 2023-s.
“Konsiderojmë që Marrëveshja Bazike dhe Aneksi i zbatimit janë një e arritur e dalluar në politikën e jashtme por edhe e arritur e BE-së, i cili ka ndërmjetësuar raunde të tëra të këtij dialogu. Hera e fundit kur kemi pasur takim trilateral ka qenë më 14 shtator të vitit të kaluar… Ka ndodhur shumëçka prej atëherë kur ka ndodhur Banjska por edhe letra e tërheqjes nga Marrëveshja Bazike”, ka thënë Kurti.
Kryeministri Kurti ka shtuar para gazetarëve se organizatori i sulmit në Banjskë, Milan Radoiçiç, duhet t’iu dorëzohet autoriteteve kosovare “përndryshe normalizimi dhe paqja nuk ndodhë në rajon”.
Në Bruksel sot janë mbajtur dy runde të takimeve dypalëshe mes përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin serb, Vuçiq.
Pavarësisht se BE-ja kishte paralajmëruar se pas takimeve dypalëshe do të mbahej edhe një takim trepalësh, ai nuk ndodhi.
Para takimeve me Kurtin dhe Vuçiqin, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, tha se pret që në takimin e sotëm të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të diskutohet për arritjet në dialog, por edhe për nisjen e zbatimit të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve.