Rajoni

Albin Kurti: Marrëveshja me Serbinë duhet të zbatohet pa kushte!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se marrëveshja drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe Aneksi i saj, duhet të zbatohen shpejt, plotësisht e pa kushte. Sot, Kurti u takua me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon dhe shefin e zyrës së Bashkimit Europian, Tomas Szunyog.

Më 27 shkurt në Bruksel, Kosova e Serbia arritën marrëveshjen drejt normalizimit ndërsa në mars, në Ohër u arrit dhe pajtimi për Aneksin e zbatimit të saj.

Kjo marrëveshje nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insiston Kosova, por nga Prishtina e Beogradi kërkon t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat e targat.

Dokumenti prej 11 nenesh kërkon edhe që palët t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani në dialog, përfshirë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Por, qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri tani, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Gjatë takimit, Kurti bisedoi për tensionet e fundit në veri të Kosovës, pas hyrjes në zyrat komunale të kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut e Leposaviçit, komuna me shumicë serbe. Në njoftim thuhet:

Kryeministri rikujtoi se zgjedhjet në katër komunat në veri të vendit ishin shtyrë një herë në dhjetor dhe se tani pas mbajtjes së tyre më 23 prill është e rëndësishme që të fillojmë sa më parë me ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarët, të cilat kanë munguar që nga fillimi i muajit nëntor të vitit të kaluar pas dorëheqjes së kryetarëve pararendës.

Më 26 maj, grupe të serbëve lokalë u përleshën me Policinë e Kosovës që ndihmoi kryetarët e rinj të hynin në ndërtesat komunale.

Më 25 maj, kryetarët e rinj të Zubin Potokut, Leposaviçit e Zveçanit bënë betimin në shkolla dhe të tjera ndërtesa komunale, për shkaqe sigurie. Kryetari i Mitrovicës së Veriut, më 19 maj u betua në ndërtesën e komunës, pasi Mitrovica është e vetmja në veri që ka ndërtesa të ndara komunale të institucioneve që punojnë sipas sistemit të Kosovës dhe atyre paralele, që punojnë sipas sistemit të Serbisë.

Bashkësia ndërkombëtare dënoi veprimet e Prishtinës dhe i cilësoi si “hyrje me forcë” vajtjen e kryetarëve të rinj në zyrat e tyre në komuna. Zgjedhjet në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe u zhvilluan më 23 prill, pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës në nëntor të vitit të kaluar.

Kjo parti i braktisi të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të qeverisë në Prishtinë për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe. Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, pra kryetarët e rinj.