Sot e ftuar në emisionin “Çdo gjë është ashtu si duket” ka qenë dizajnerja e bizhuterive, Alba Ruço. Një intervistë mjaft e veçantë ku nuk është diskutuar vetëm për bizhuteritë por edhe për kuptimin, vlerën, rëndësinë dhe ecurinë e zhvillimit të tyre nga lashtësia dhe deri në ditët e sotme. Bizhuteritë janë një formë universale e zbukurimit. Bizhuteritë e bëra nga guaska, guri dhe kocka mbijetojnë sot që nga kohërat parahistorike. Ka të ngjarë që qysh në kohët e hershme, bizhuteritë të jenë mbajtur si mbrojtje nga rreziqet e jetës ose si shenjë statusi shoqëror.
Vetë Alba ka zbuluar se si ka nisur rrugëtimi i saj në këtë profesion por njëkohësisht edhe pasion majft të madh të sajin.
Shpesh edhe sot pyes a është vërtetë kjo që dua të bëj me jetën. Kam qenë një fëmijë kurioz me shumë fantazi, që e vogël tek puna e mamit dhe babit krijoja shumë bizhuteri me mendësinë time. Është e kultivuar nga prindërit. Ata janë shumë të apasionuar dhe i përkushtohen shumë punës. Kështu filloi, u mundova të provoja dhe veten time në fusha të tjera po e pashë që nuk bëja. Si për shembull dega e marketingut apo edhe bankë. E lashë bankën, ishin eksperienca të shkurtra dhe intershipe por ja ku jam sot me këtë pasionin që kam pasur që e vogël. Unë e kam të rëndësishme që të përkas diku, duhet t’i përkas një gjëje dhe ta bëj si duhet. Kjo është linja ime, e kam skalitur linjën time edhe pas rikthimit tim në Shqipëri. Unë isha në Londër dhe është një lloj ‘culutre crash’ por i mora gjërat me rrallë dhe sot e kam gjetur veten shumë mirë.
Në lidhje me këtë pasion të sajin për bizhuteritë në vetvete, Alba Ruço u shpreh se:
Bizhuteria është një art në miniaturë që ka lidhje me lëkurën tënde. Materialet e ndryshme të bizhusë përcjellin një energji. Ari ishte dhe është akoma Zoti i metaleve, edhe platini por floriri përcjell shumë energji pozitive. Tani është investimi në modelin e bizhusë. Ne mundohemi t’i shpëtojmë sfidave të realitetit, prandaj zgjedhim bizhutë me ngjyra.
Alba ka vijuar duke thënë se:
Është shumë e trashëguar. Bota ka një histori me bizhuteritë, në vendin tonë na është dashur ta nisim nga zero. Që në kohët e lashta, janë gjetur shumë bizhuteri nga bronzi nga shqiptarët që po të kishin një strukturim më të mirë do të ishin akoma funksionale. Ne kemi kaluar nga kjo tek një trashëgimi më moderne tek floriri më shumë.
Sa i përket vlerës së bizhuterive të floririt, Alba ka treguar:
Ka një bursë ndërkombëtare për metalet prandaj ata nuk zhvlerësohen. Edhe në momente krizash ari nuk e ndryshon vlerën e tij.