Bota

Alarmuese situata me arinjtë polarë, edhe sa kohë do të mbijetojnë ata?

Me kalimin e viteve, arinjtë polarë janë bërë simbol i katastrofave mjedisore të shkaktuara nga ngrohja globale, një situatë e cila, siç thotë një studim i publikuar në Science Advances, ka rrënjë shumë më të thella se sa besohet. Popullsia e tyre po bie me shpejtësi, sepse është një specie veçanërisht e ndjeshme ndaj ndryshimeve klimatike.  Arinjtë polarë konsiderohen si një specie rojtare, gjendja shëndetësore e të cilëve është tregues i kushteve të përgjithshme të habitatit në të cilin jetojnë. Për këtë studim, ekipi nga Universiteti i Kopenhagës mori në konsideratë në veçanti popullsinë që jeton në brigjet e Grenlandës, e cila përfshin një numër ekzemplarësh rreth 5000 njësi.

Analiza integroi të dhëna në lidhje me kodin gjenetik të arinjve, dietën dhe shpërndarjen e tyre, por edhe informacionin që kemi për klimën lokale. Rezultati është zbulimi se popullsia e Grenlandës ka ardhur duke u zvogëluar në numër. Arsyeja është rritja e temperaturave të detit, e cila bën që akulli të tërhiqet dhe për këtë arsye arinjtë kanë më pak ushqim në dispozicion.

Gjatë 20,000 viteve të fundit, ujërat e Grenlandës kanë parë temperaturat e tyre të rriten me 0,2/0,5 °C, e mjaftueshme për të shkaktuar një kolaps në popullsinë e ariut polar prej 20 deri në 40%. Problemi i vërtetë është se në dekadat e ardhshme parashikimet e klimës thonë se të njëjtat ujëra do të ngrohen midis 2 dhe 5°C, domethënë dhjetë herë më shumë se sa ka ndodhur në njëzet mijëvjeçarët e fundit. Kjo shpjegon pse gjendja e arinjve polarë konsiderohet kaq kritike. Ata do të përballen me një ngrohje shumë të shpejtë që do t’i privojë nga akulli që u nevojitet për të jetuar dhe për të marrë ushqim.