Statistikat e Fondit për Shëndetësi në Maqedoninë e Veriut tregojnë se ilacet që ndikojnë në sistemin qendror nervor, bëjnë pjesë në treshen e medikamenteve më të përdorura nga ana e qytetarëve të vendit, krahas atyre që përdoren për aparatin tretës dhe për sëmundje të zemrës. Brenda një viti në Maqedoninë e Veriut janë dhënë 2 milionë e 400 mijë receta për sëmundje që kanë të bëjnë me shqetësimet e shëndetit mendor, përkatësisht barna për të trajtuar çrregullime të panikut dhe ankthit.
Ky numër është më i madh se numri i përgjithshëm i banorëve të këtij vendi. Mjekët thonë se këto shifra janë shqetësuese nëse i shtohet edhe përdorimi i barnave kundër depresionit, të cilat merren nga ana e pacientëve në mënyra të ndryshme edhe pa recetë të mjekut. Edhe pse Ministra e Shëndetësisë ishte zotuar për uljen e numrit të përdorimit të këtyre barnave, kjo nuk u realizua.
Mihaella, 26-vjeçare, thotë se për herë të parë nisi të merrte qetësues pas konsultimit në një seancë të vetme me psikologun si pasojë e traumës që ka pësuar nga humbja e njërit prej prindërve.
Parë nga këndvështrimi i sotëm, mendoj se në atë moment marrja e qetësuesve ishte zgjidhja më e lehtë që unë të mund ta tejkaloja problemin që kisha pas humbjes së madhe në familje. Por, tani, nëse do të përballesha me një dhembje të tillë shpirtërore, asnjëherë nuk do t’i pija ato ilaçe kundër depresionit.
Këtë e sqaron me faktin se edhe pas ndërprerjes së barnave kundër depresionit, gjendja e saj emocionale ka mbetur shumë e luhatshme.
Sipas meje, farmako-terapia, antidepresivët, duhet të jenë zgjidhja e fundit dhe jo e para. Ato duhet të merren vetëm atëherë kur janë konsumuar të gjitha mundësitë e tjera.
Diazepami mbetet në krye të listës së përdorimit të aksiolitëve, barnave për qetësim, për tejkalimin e ankthit, frikës e depresionit. Gjatë vitit të kaluar mjekët u kanë shkruar pacientëve të tyre më shumë se 1 milion e 400 mijë receta vetëm për diazepam, që paraqet shifrën më të lartë gjatë pesë vjetëve të fundit.
Ndërkaq, pandemia e koronavirusit ka dhënë efekte negative edhe në shëndetin mendor të fëmijëve. Pas dy viteve të vështirë nga izolimi dhe stresi i COVID-19,mjekët po përballen më rritje të çrregullimeve mendore tek moshat pediatrike. Krahas autizimit të shtuar, psikiatrit po konstatojnë depresion, probleme me komunikimin, me të nxënin dhe gjuhën.