Aktualitet

Alarmi për “Ethet e Nilit”, reagon Ministria e Shëndetësisë: Qëndroni të qetë, por vigjilentë!

Në spitalin Infektiv në QSUT, në Tiranë janë të shtruar 9 pacientë me moshë mbi 70 vjeç të prekur nga virusi i Nilit Perëndimor.

Ethet e Nilit u rikthyen në vendin tonë pas 13 vjetësh duke shkaktuar deri tani 3 të vdekur dhe 17 të infektuar.  Ministria e Shëndetësisë ka reaguar duke i bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë, por vigjilentë.

“Qëndroni të qetë, por vigjilentë. Rritni ndërgjegjësimin dhe zbatoni masat mbrojtëse.

Infeksioni nga virusi i Nilit Perëndimor transmetohet kryesisht nga pickimet e mushkonjave të infektuara. 80% e njerëzve të infektuar nuk shfaqin simptoma, ndërsa 20% përjetojnë ethe dhe dhimbje.

Vetëm 1% zhvillojnë forma të rënda. MSHMS sëbashku me ISHP dhe Operatorin e Kujdesit Shëndetësor ka marrë masat duke kryer procesin e dezinsektimit dhe kryen monitorimin etomologjik periodik në të gjithë vendin. Mbroni veten dhe familjen tuaj!

Por si transmetohet infeksioni nga virusi i Nilit Perëndimor?

Infeksioni te njeriu është kryesisht rezultat i pickimeve nga mushkonjat e infektuara, të cilat infektohen kur ushqehen me zogj të infektuar. Virusi qëndron në natyrë nëpërmjet një cikli transmetimi mushkonja-zogj-mushkonja. Zogjtë janë rezervuarët bartës të virusit. Kuajt, njësoj si njerëzit, janë bartës që pavaresisht se ata infektohen, nuk e përhapin direkt infeksionin.

Deri më sot, nuk ka ndodhur asnjë transmetim i virusit nga njeriu tek njeriu përmes kontaktit rastësor apo nepermjet mushkonjave, dhe nuk është raportuar asnjë transmetim i virusit të Nilit Perëndimor te punonjësit e kujdesit shëndetësor kur janë zbatuar masa parandaluese standarde të kontrollit të infeksionit.

Infeksioni me virusin e Nilit Perëndimor është pa shenja në rreth 80% të njerëzve të infektuar. Vetëm rreth 20% e njerëzve të infektuar me virusin e Nilit Perëndimor zhvillojnë sëmundjen. Kur shfaqen shenjat ato përfshijnë: ethe, dhimbje koke, lodhje, dhimbje trupore, të përziera, të vjella, herë pas here skuqje të lëkurës dhe fryrje të gjëndrave limfatike.

Shenjat e sëmundjes së rëndë (si encefaliti, meningiti ose paraliza flakside akute) përfshijnë: dhimbje koke, temperaturë të lartë, ngurtësim të qafës, mpirje, çorientim, gjendje kome, dridhje, konvulsione, dobësi muskulore dhe paralizë.dhe shfaqen vetem ne 1% te personave te infektuar.

Forma të rënda të sëmundjes mund të shfaqen te njerëzit e çdo moshe, por personat mbi moshën 60 vjeç dhe personat me imunitet të ulët janë më të rrezikuar. Periudha e inkubacionit është zakonisht 3 ditë deri në 14 ditë.

Virusi i Nilit Perëndimor mund të diagnostikohet me një sërë testesh duke analizuar lëngun e trunoshpinor,urinen, gjakun apo mostrat e serumit të marra nga pacientët e infektuar nga virusi i Nilit Perëndimor, në periudhën kur paraqesin shenja klinike.

Nuk ka trajtim specifik për pacientët me sëmundjen që prek sistemin nervor, shkaktuar nga virusi i Nilit Perëndimor. Trajtimi është vetëm mbështetës dhe simptomatik.

Në mungesë të një vaksine, e vetmja mënyrë për të zvogëluar infektimin e njerëzve është rritja e ndërgjegjësimit mbi faktorët e rrezikut, dhe edukimi i njerëzve për masat që duhet të ndërmarrin për të zvogëluar ekspozimin ndaj virusit.

Parandalimi efektiv i infeksionit nga virusi i Nilit Perëndimor te njeriu varet nga programet e kontrollit të integruar të mushkonjave në zonat ku ndeshet virusi.

Punonjësit e kujdesit shëndetësor që kujdesen për pacientët që dyshohet ose që konfirmohet se kanë infeksion të virusit të Nilit Perëndimor, ose që trajtojnë mostra prej tyre, duhet të zbatojnë masat e pergjithshmetë kontrollit të infeksionit.

Meqenëse shpërthimet e virusit të Nilit Perëndimor në kafshë i paraprijnë infektimit të rasteve në njerëz, krijimi i një sistemi mbikëqyrës të shëndetit të kafshëve për zbulimin e rasteve të reja në zogj dhe kuaj, është thelbësor për paralajmërimin e hershëm të autoriteteve të shëndetit publik dhe veterinar.