Sport

Alarm tek Interi, dëmtohet edhe Barela

Nikolo Barela nuk ka marrë pjesë në stërvitjen e mëngjesit të djeshëm, pas ditës së pushimit të dhënë dje nga Simone Inzagi.

Mesfushori i Interit, i zëvendësuar mbrëmjen e së dielës në minutën e 29-të të pjesës së dytë, në fakt i është nënshtruar testeve mjekësore për të vlerësuar gjendjen e tij dhe në vijim deklarata e klubit zikaltër: “Futbollisti Nikolo Barela iu nënshtrua testeve klinike instrumentale në Institutin Humanitas në Rocano. Për mesfushorin, një tendosje në e muskulit femoral të kofshës së djathtë. Gjendja e tij do të rivlerësohet javën e ardhshme.”

Një dëmtim që mund ta mbajë jashtë fushës për të paktën tri javë lojtarin i cili duhet të shihet përsëri në fushë pas pushimit ndërkombëtar të tetorit. Lajm i keq për Simone Inzagin, edhe sepse fillimisht u duk se ishte një mbilodhje e thjeshtë. Vazhdimi i shqetësimit muskulor ka bërë të nevojshme testet klinike të cilat, siç shkruhet në njoftimin për shtyp të Interit, do të përsëriten pas një javë.

Barela me siguri do të humbasë ndeshjet e kampionatit kundër Udinezes dhe Torinos dhe ndeshjen e Champions kundër Crvena Zvezdës. Falë pushimit për shkak të angazhimeve të ekipit kombëtar, ai mund të jetë sërish i disponueshëm për ndeshjen jashtë fushe në “Olimpiko” kundër Romës më 20 tetor.

Ky po që është një alarm i vërtetë për skuadrën e Simone Inzagit sepse nuk do të ketë në dispozicion lojtarin që ishte më në formë dhe po mbante në shpatulla ekipin në këtë moment. Duke parë që mesfushorët e tjerë kanë vështirësi për të gjetur formën dhe janë pak vonë me përgatitjet Barela ishte garanci. Nuk do të jetë më për këtë fazë të sezonit që është e rëndësishme.

Sigurisht që Interi ka alternativa, por nuk ka një Barelë që impenjohet maksimalisht në dy fazat e lojës. Fratezi ka vështirësi që të bëjë titullarin, por është një lojtar që ndizet me “hope” dhe tani do të duhet që trajneri të zgjedhë nëse do t’ia besojë rolin e titullarit Zielinskit apo italianit. Udineze është prova e radhës, ku Interi duhet të fitojë patjetër dhe misioni bëhet më i vështirë kur do të luajë pa liderin e mesfushës.