Bota

Alarm për tajfun në Kinë, evakuohen disa zona!

Në Kinë autoritetet kanë paralajmëruar ardhjen e tajfunit Shaola. Mediat e huaja shkruajnë se për shkak të paralajmërimit pritet që zona që do të preket nga kjo do të jetë Shenzhen, një metropol i Kinës që është fqinj me Hong Kongun. Për të bërë ballë një stuhie të tillë është vendosur që të mbyllen zyrat, dyqanet dhe tregjet në qytet, për shkak të ardhjes së tajfunit Shaola.

Qyteti me 17.7 milionë banorë vendosi të mbyllte zyrat, dyqanet dhe tregjet nga ora 16:00. Autoritetet u bënë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, ndërsa siguruan se do të hapen të gjitha strehimoret në dispozicion. Autoritetet në Shenzhen kishin njoftuar tashmë dje se shkollat nuk do të ishin të hapura sot.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Kombëtar të Kinës, Shaola mund të arrijë në tokë në Kinën jugore sot në mbrëmje ose të shtunën në mëngjes përgjatë bregut të provincës Guangdong. Autoritetet në qendrën financiare ndërkombëtare të Hong Kongut njoftuan gjithashtu se bursa dhe shkollat do të mbylleshin, ndërsa mbërritjet dhe nisjet e avionëve do të anuloheshin për shkak të motit ekstrem.