Aktualitet Bota

Alarm për eksploziv në vendin ku do të mbajë tubimin Donald Trump, reagojnë autoritetet!

Një alarm për eksploziv në vendin ku do të mbajë tubimin Donald Trump në Long Island ka alarmuar autoritetet policore.

Departamenti i Policisë Nassau konfirmoi për Newsweek të mërkurën në mëngjes se forcat e saj iu përgjigjën një “ngjarjeje të dyshimtë” pranë vendit ku do të mbahet tubimi i ish-presidentit Donald Trump.

“Ne iu përgjigjëm një ndodhie të dyshimtë në afërsi të Nassau Coliseum, megjithatë nuk kishte asnjë vlefshmëri të gjetjes së një mjeti shpërthyes”, tha një oficer i informacionit publik për Newsweek.

Oficeri shtoi, duke thënë “ne nuk jemi të sigurt se nga e ka origjinën ky informacion, por mund të konfirmojmë se nuk u zbulua asnjë eksploziv.”

Trump, kandidati republikan presidencial do të mbajë një tubim të fushatës në orën 19:00 në Uniondale, Nju Jork në Koliseumin Memorial të Veteranëve të Nassau. Tubimi vjen vetëm tre ditë pas një atentati të dytë ndaj Trump në Ëest Palm Beach, Florida.

FBI tha më herët se Donald Trump “duket se ishte objekt i një përpjekjeje për atentat” në klubin e tij të golfit në West Palm Beach të Floridës të dielën, vetëm nëntë javë pasi kandidati republikan për president i mbijetoi një tjetër atentati ndaj tij.

Ish-presidenti tha se është mirë dhe jashtë rrezikut.

Sherifi i Qarkut Palm Beach, Ric Bradshaw tha se agjentët e Shërbimit Sekret të SHBA-së qëlluan në drejtim të një personi që kishte drejtuar një pushkë të stilit AK drejt klubit, ndërsa zoti Trump ishte duke luajtur golf.

Zoti Bradshaw tha se personi i armatosur kishte gjithashtu dy çanta shpine të varura në një gardh dhe një kamerë GoPro dhe se ai ishte rreth deri në 500 metra larg nga zoti Trump dhe i fshehur mes shkurreve, ndërsa ish-presidenti luante golf. Personi hodhi armën dhe iku me një fuoristradë dhe më pas u arrestua në një distrikt aty pranë.

Disa media amerikane e identifikuan të dyshuarin si Ryan Wesley Routh, 58 vjeç, nga Havai, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar të organeve të zbatimit të ligjit.

Zyrtarët që identifikuan të dyshuarin folën në kushte anonimiteti sepse nuk ishin të autorizuar të diskutonin hetimin aktiv. FBI nuk pranoi të komentonte mbi identitetin e të dyshuarit dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Incidenti është zhvillimi i fundit tronditës në një vit fushate të shoqëruar me ngjarje të pashmebullta dhe ndodh pothuajse dy muaj pasi zoti Trump u qëllua gjatë një atentati në një tubim në Pensilvani dhe një plumb e plagosi në vesh.