Jasir Asani do t’i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore, pas dëmtimit që pësoi dje në sfidën me Çekinë. Ky është informacioni i dhënë nga FSHF, që tregon se më pas do të vendoset nëse do të jetë i gatshëm për Ukrainën. Duke qenë se sfida është të martën, mundësitë duken të pakta për një rikuperim në kohë.
Një gjendje shqetësuese për Silvinjon, i cili Asanin e kishte titullar të padiskutueshëm. Ndërkohë raportohet se grupi që luajti dje ka kaluar kohë në palestër sot, ndërsa pjesa tjetër është stërvitur normalisht.
LEXO EDHE: Barazimi me Çekinë, Sylvinho: Ndeshje e vështirë, grup i ekuilibruar!
Njoftimi i FSHF-së:
“Kombëtarja shqiptare është rikthyer në fushë dhe ka nisur zyrtarisht përgatitjet për ndeshjen e fundit në grupin B1 të UEFA Nations League ndaj Ukrainës, e programuar për t’u luajtur të martën e 19 nëntorit në stadiumin “Air Albania”, në orën 20:45.
Skuadra zhvilloi sot një seancë stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit”. Lojtarët që nuk u aktivizuan ndaj Çekisë zhvilluan një seancë të plotë e fokusuar më shumë te puna me topin dhe situatave të ndryshme të lojës. Ndërsa lojtarët të cilët luajtën titullar bënë vetëm shkrythje në palestër dhe fizioterapi.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se sulmuesi Jasir Asani do t’i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore pas problemit që pati në ndeshjen ndaj Çekisë dhe më pas do të vendoset nëse do të jetë i gatshëm apo jo për takimin ndaj Ukrainës.
Kombëtarja do të mbyllë nesër përgatitjet për duelin e fundit ndaj Ukrainës. Konferenca zyrtare e trajnerit Silvinjo do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania” në orën 15:45. Stërvitja zyrtare në orën 16:30 dhe 15 minutat e para do të jetë e hapur për median”.