Aktualitet

Akuzohet si pjesë e një grupi kriminal, ekstradohet nga Gjermania ish-efektivi i RENEA-s!

Është ekstraduar nga Gjermania ish-efektivi i RENEA-s, Adrian Pikli, i akuzuar nga GJKKO për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe për posedim të armëve të zjarrit.

GJKKO i ka caktuar 29-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Interpol Tirana

Ekstradohet nga Gjermania, një shtetas i akuzuar nga GjKKO, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, për posedim të armëve të zjarrit.

Si rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve në Gjermani, u ekstradua shtetasi A. P., 29 vjeç.

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar, më datë 15.05.2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

SPAK

Sipas hetimeve nga SPAK, Adrian Pikli ka bashkëpunuar me Deivis Barjamajn. Këta dy shtetas kanë një intensitet të lartë komunikimesh me njëri-tjetrin dhe bisedat mes tyre janë kryer me qëllim zhvillimin e aktivitetit të paligjshëm të prodhimit dhe shitjes së armëve dhe municioneve.

Të dy këta shtetas kanë një bashkëpunim të qëndrueshëm në zhvillimin e këtij aktivitetit duke siguruar armët dhe municionet, modifikimin e tyre, krijimin e kontakteve me personat e interesuar për blerje dhe shitjen e tyre me qëllim përfitimin monetar. Në periudhën e komunikimeve shtetasi Adrian Pikli rezulton i punësuar në institucionin e Policisë së Shtetit dhe konkretisht në repartin RENEA.

Ky shtetas duke shfrytëzuar pozicionin si punonjës policie krijon lehtësira për zhvillimin e këtij aktiviteti të paligjshëm të organizuar nga ai vetë dhe bashkëpunëtori i tij.

Deivis Bajramaj dhe Adrian Pikli sigurojnë armë dhe municione brenda territorit të Shqipërisë por në raste të caktuara shprehen që i trafikojnë edhe nga shteti i Serbisë dhe Kosovës.