SPAK kërkoi 12 vite heqje lirie për Sokol Idrizajn (ish-shoferi i Ardi Veliu), po aq për bashkëshorten e tij Elda Idrizaj, 10 për të birin Egi Idrizaj dhe 6 vite për vajzën tjetër të çiftit, Bora Idrizaj.
Një vendim i padëgjuar më parë nga SPAK ku kërkon dënimin me 40 vite burg të familjes, Idrizaj.
Nëse kjo pretencë miratohet nga GJKKO, të pandehurit do të përfitonin zbritjen me 1/3 e dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Nga 12 vite burg kërkoi organi i akuzës për Agustin Mesulin dhe Altin Dodën, 10 për Florian Baku dhe nga 6 vite për Vangjush Kasharrën e Tmorr Barutin.
Gentian Aga dhe Alid Shehi janë ndarë nga grupi që përbëhej me 12 persona dhe po gjykohen në proces të zakonshëm.
Seanca për mbrojtjen e të pandehurve ku mund të jepet njëherësh edhe vendim nga gjykata, u caktua të mbahet në datën 19 nëntor ora 12:30.
Në maj të vitit të kaluar, Sokol Idrizaj, bashkëshortja e tij dhe dy vajzat e çiftit u vunë nën akuzë nga SPAK, pasi dyshohen si anëtarë të një grupi kriminal. Në kuadër të këtij procedimi u në total u arrestuan 12 persona. Këta shtetas dyshohet se kanë transportuar sende të vjedhura dhe me vlerë të çmuar nga shteti francez drejt Shqipërisë, ku janë shitur në mënyrë të fshehtë dhe kontrabandë përmes argjendarisë së shtetasit Vangjush Kashara që ka dyqanin qendror në Tiranë.
Verifikimet e SPAK treguan se këto grupe që funksiononin që para vitit 2019, kanë kaluar drejt Francës 724,386 euro për blerje të sendeve, shifër kjo që i përket vetëm transaksioneve bankare, ndërsa shumat në kesh të cilat janë transportuar nëpërmjet kufirit shtetëror në mënyrë të paligjshme, kapin vlerën e 2.1 milionë eurove dhe 35.000 franga.