Bota

Akuzat për sulme seksuale kundër Uberit, depozitohet padi në Amerikë!

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 550 gra që kanë qenë pasagjere ngritën padi për sulme seksuale kundër Uber-it. Një ditë më parë, çështja u depozitua në Gjykatën e Lartë të San Franciskos. Për BBC-në, një zëdhënës i Uber-it deklaroi:

Sulmi seksual është një krim i tmerrshëm dhe ne jemi gati të marrim seriozisht çdo raportim. Nuk ka asgjë më të rëndësishme se siguria, ndaj Uber ka ndërtuar veçori të reja sigurie dhe është më transparent për incidentet serioze. Ne nuk mund të komentojmë mbi çështjet gjyqësore, por do të vazhdojmë ta mbajmë sigurinë në fokus të punës tonë.

Padia u ngrit nga avokatët e firmës ligjore “Slater Slater Schulman”, të cilët pretendojnë se sulmet seksuale kanë ndodhur në shumë shtete amerikane dhe se “kompania i dha përparësi rritjes së biznesit, para sigurisë së klientit”. Muajin e kaluar, Uber publikoi raportin e dytë të sigurisë në Shtetet e Bashkuara e që tregoi se kishte 998 incidente të lidhura me sulme seksuale në vitin 2020, përfshirë 141 raportime për përdhunim.

Në raport, kompania theksoi se gjithsej mori 3 mijë e 824 sinjalizime për pesë kategoritë më të rënda të sulmeve seksuale midis viteve 2019 e 2020. Duket se telashet nuk kanë të sosur për Uberin.

Rreth tre vjet më parë, nuk iu sigurua licensa e re për të vepruar në Londër, pasi aplikacioni për taksitë nuk “u vlerësua si i duhuri” për të fituar licensën, pavarësisht ndryshimeve të mëdha pozitive të bëra deri në atë kohë. Po të kthehemi pas në vite, fillimisht Uber humbi licensën më 2017-ën për shkak të shqetësimeve për sigurinë, por më pas iu zgjat leja për 15 muaj të tjerë.

Në muajin maj të këtij viti, kompania mori vëmendje për një zhvillim të rëndësishëm, përpjekjen për të shpërndarë ushqime përmes robotëve me katër rrota që përshkojnë trotuare e për këtë zgjodhi të prezantonte dy programe testimi.