Shtetasja amerikane Tracy Shannon Lyn, e cila është banore e përhershme në Tivar të Malit të Zi për të katërtin vit, ka denoncuar sot në polici se vajza e saj e mitur Zynlee Ryan është rrëmbyer nga babai i saj Thomas Hollenbeck.
Sipas Shannon Lyn, Thomas Hollenbeck është ish-burri i saj. Ajo shprehet se Thomas Hollenbeck ka kaluar ilegalisht kufirin malazezo-shqiptar me vajzën e tyre gjashtëvjeçare
Në një intervistë për euronews, ajo tregoi mes lotësh se vajza e saj është 6 vjeçe dhe duhet të vinte pas një vizite, por nuk e ka parë që prej orës 16:00 të ditës së djeshme. Ajo kërkoi ndihmë për gjetjen e vajzës dhe marrjen e saj nga ish-partneri, që siç tha e ka dhunuar atë dhe të bijën gjë të cilën e kanë dokumentuar në gjykatë.
“Për momentin vajza qëndron me mua, ai ka të drejtë ta vizitojë 2 herë në javë dhe asnjë nga ne nuk lejohet të largohet nga vendi pa lejen e personit tjetër. Vajza ime nuk ka një pasaportë dhe kur ajo nuk u kthye në shtëpi, telefoni i ish-bashkëshortit tim ishte i fikur, nuk e kisha idenë ku ndodhej, ndaj sot kontaktova ambasadën amerikane dhe ata më ndihmuan shumë. Vetëm pas disa telefonatash mora një telefonatë që konfirmon se vajza ime dhe i ati ndodheshin në ambasadën amerikane në Tiranë në përpjekje për të marrë një pasaportë për të, që do të thotë se e ka kaluar kufirin ilegalisht duke shkelur një urdhër gjykate. Dua vetëm që ajo të kthehet në shtëpi dhe për këtë më duhet ndihmë që kjo të ndodhë”, tha ajo.