Aktualitet Politikë

Akuzat e opozitës: Po përdoren ambasadorët për fushatë të PS-së!

Kryetarja demokrate e Komisionit për Çështjet Europiane, Jorida Tabaku, sot kërkoi sqarime nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, në lidhje me përfshirjen, siç e cilësoi “të diplomatëve shqiptarë në aktivitete politike”. Gjatë mbledhjes së komisionit ku u raportua për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, Tabaku u shpreh se në aktivitete politike të organizuara nga qeveria me përfaqësues politik, axhenda nuk ka qenë qeveritare, por sipas saj “politike”.

Tabaku shtoi se “në të paktën 48 raste, diplomatët kanë shoqëruar jo vetëm kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm por edhe kryetarë të pushtetit lokal në aktivitete ku për 25 minuta për një të tillë është sulmuar opozita”.

Të gjitha kanë qenë aktivitete politike. Blendi Klosi ka qenë prezent si sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste. Ka një cak që nuk duhet kaluar. Përfaqësuesit e shërbimit diplomatik nuk mund të marrin pjesë në aktivitete partiake, ku marrin pjesë të gjithë zyrtarët më të lartë të Partisë Socialiste, sepse kalon cakun në momentin kur fillon e flitet 25 minuta për kundërshtarin. Ka 48 raste, edhe me kryetarët e bashkive me aktivitete të tilla.

Ndërkaq, kryediplomati Hasani u shpreh se “nuk jemi në fushatë elektorale, pasi fushata hapet shumë më vonë”.

Për asnjë moment nuk ka pasur takim partiak apo politik. Kanë qenë takime të kryeministrit me përfaqësues të diasporës në qytete të rëndësishme në botë. Nuk është përdorur asnjë logo, flamur apo batutë por është folur për Shqipërinë, shqiptarët dhe luftën kundër korrupsionit, si dhe të ardhmen e të mirat që ne po përpiqemi t’i japim qytetarëve.

Për asnjë moment nuk është folur për pjesë të programeve partiake. Diplomatët e Republikës së Shqipërisë kanë detyrimin që të shoqërojnë kryeministrin e vendit të tyre në aktivitetet ku merr pjesë. Ata nuk kanë marrë pjesë aktive, nuk kanë bërë thirrje, nuk kanë mbajtur slogane e flamuj partiakë, por kanë shoqëruar kryeministrin dhe këtë detyrim e kanë sipas ceremonialit të shtetit edhe për liderin e opozitës, vuri në dukje kryediplomati Igli Hasani ndërsa kërkoi që të respektohet puna e diplomatëve e siç theksoi “të mos keqinterpretohet” në asnjë moment.