Bota

Akuza Pakistanit, talebanët: Kreu dy sulme në territorin afgan, 8 viktima!

Tensione mes dy vendeve fqinje, Afganistanit dhe Pakistanit. Zyrtarë talebanë e nisën javën duke akuzuar Pakistanin se ka kryer dy sulme ajrore në territorin afgan. Sipas të njëjtave burime, u vranë pesë gra dhe tre fëmijë. Zëdhënësi i talebanëve, Zabiullah Mujahid i dënoi këto sulme dhe po ashtu i ka konsideruar si “shkelje të sovranitetit”.

Për sulmet është raportuar në kohën kur vendet fqinje besojnë se goditjet e fundit në Pakistan janë nisur prej tokës afgane. Ndërkaq, talebanët që janë në pushtet në Afganistan i kanë hedhur poshtë këto akuza. Mujahid deklaroi:

Emiratet Islamike të Afganistanit nuk lejojnë askënd që të komprometojë sigurinë duke shfrytëzuar territorin afgan.

Të tetë viktimat, mes tyre pesë gra dhe tre fëmijë, humbën jetën në provincat lindore Kost e Paktika, bëri të ditur Mujahid. Ushtria e Pakistanit ende nuk i ka komentuar akuzat që vijnë nga pala afgane.

Ditë më parë ka pasur raportime për sulme të disa militantëve në Pakistan, duke lënë të vrarë shtatë zyrtarë të sigurisë. Ndonëse ende nuk është bërë e qartë se çfarë e ka nxitur sulmin, qeveria e Pakistanit dhe zyrtarë të sigurisë kanë thënë se të tilla incidente janë shtuar ndjeshëm në muajt e fundit dhe për një pjesë të tyre, përgjegjësinë e kanë marrë talebanët pakistanezë. Po ashtu, nuk vihet në dyshim që sulmet janë nisur prej tokës afgane.

Por, në anën tjetër, talebanët afganë e kanë mohuar që e lejojnë territorin e tyre të shfrytëzohet prej militantëve. Ata thonë se nuk kanë asnjë lidhje me çfarë po ndodh.

Në të njëjtën deklaratë, zëdhënësi i talebanëve, Zabiullah Mujahid bëri edhe një paralajmërim të ashpër:

Pakistani nuk duhet që të fajësojë Afganistanin për mungesë kontrolli apo kompetence, si dhe lidhur me problemet që ka në territorin e tij. Incidente të tilla mund të kenë pasoja shumë të rënda, të cilat nuk do të jenë në kontrollin e Pakistanit!

Prej gushtit të vitit 2021, me largimin e trupave ushtarake të koalicionit ndërkombëtar të drejtuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Afganistani ra sërish në duart e talebanëve që po qeverisin prej rreth tre vitesh. Amerika pati hyrë në Afganistan në vitin 2001, pas atentateve të 11 shtatorit.