Para 5 vitesh një student i doktoraturës në Harvard, Andres Ardisson Korat kreu një studim dhe doli në një përfundim paksa të çuditshëm. Mesa duket ngrënia e akullores shoqërohej me një rrezik më të ulët të problemeve të zemrës për personat që vuanin nga diabeti. Gjatë viteve 1980, studiuesit e Harvardit filluan të mbledhin “pyetësorë të shpeshtësisë së ushqimit” dhe të dhëna mjekësore nga mijëra punonjës shëndetësorë. Studimi i parë vëzhgues i universitetit për diabetin e tipit 2 dhe produktet e qumështit u botua në vitin 2005.
Hulumtuesit më pas arritën në përfundimin se konsumi më i lartë i bulmetit me pak yndyrë lidhej me një rrezik më të ulët të diabetit. “Reduktimi i rrezikut të diabetit ishte pothuajse ekskluzivisht i lidhur me qumështin me pak yndyrë ose pa yndyrë,” shpjegoi një njoftim për lajmet e Harvardit në atë kohë. Sipas rezultateve, meshkujt që konsumonin dy ose më shumë racione qumësht të skremuar ose me pak yndyrë në ditë kishin një rrezik 22% më të ulët të diabetit. Këto përfundime forcohen me kërkimin e Andres Ardisson Korat.
Por si mund të shpjegohet vlera ushqyese e akullores dhe mbrojtja që ajo ofron ndaj diabetit? Kjo për shkak se shumica e proteinave në akullore vijnë nga qumështi, me këto proteina që krijojnë një indeks të ulët glicemik për shkak të fermentimit që kanë pësuar. Yndyra që përmban akullorja parandalon përthithjen e shpejtë të sheqerit dhe për këtë arsye ndihmon me sindromën e rezistencës ndaj insulinës. Megjithatë, këto përfundime janë ende konfuze për shkencëtarët, të cilët po bëjnë thirrje për kërkime të mëtejshme mbi këtë çështje.