Kompania e prodhimit “Hello Sunshine”, e cila është në pronësi të aktores Reese Witherspoon, është shitur për më shumë se 900 milionë dollarë në një kompani mediatike në pronësi të “Blackstone Group Inc.”, ndërsa industria e filmit u befasua veçanërisht nga çmimi, duke pasur parasysh që “Hello Sunshine” u bë fitimprurëse vetëm vitin e kaluar. Witherspoon dhe shefja ekzekutive e “Hello Sunshine”, Sarah Harden, do të bashkohen me bordin e drejtuesve të kompanisë së re dhe do të vazhdojnë të mbikëqyrin veprimtaritë e përditshme.
Ndërmarrja e mediave ende e paidentifikuar e “Blackstone” do të udhëhiqet nga ish-drejtuesit e kompanisë gjigante “Disney”, Kevin Mayer dhe Tom Staggs. Në një deklaratë, Reese Witherspoon është shprehur:
Ky është një moment i madh për “Hello Sunshine”. E fillova këtë kompani për të ndryshuar mënyrën se si të gjitha femrat shihen në media. Në vitet e fundit, kemi parë përparimin e misionit tonë përmes librave, televizionit, filmit dhe platformave sociale. Sot jemi duke bërë një hap të madh përpara në partneritet me “Blackstone” që do të na lejojë të tregojmë histori edhe më argëtuese, me ndikim dhe iluminuese për jetën e femrave në nivel global.
Shitja e “Hello Sunshine” mund të shkaktojë një valë të re të blerjeve të kompanive të këtij lloji, përderisa çmimi me të cilin u shit kompania shkaktoi shumë reagime në industrinë e kinematografisë, duke marrë parasysh faktin se prej vitesh në treg, u bë fitimprurëse vetëm në vitin 2020. Projektet e “Hello Sunshine” përfshijnë filmat e suksesshëm, si “Gone Girl”, “The Morning Show”, Big Little Lies” si dhe “Wild” ku Reese ka marrë pjesë, ndërsa ka edhe klubin e njohur të librave të Whiterspoon.
Rikujtojmë se, Reese Witherspoon ka folur gjatë mbi eksperiencën e saj të panikut gjatë periudhës kur xhironte filmin “Wild” në vitin 2014. Filmi kishte një qendër të tij një grua, e cila kishte pësuar një dramë familjare dhe përpiqej të gjente pjesët e munguara të jetës së saj duke u munduar të ngjiste majën e Pacific Crest Trail. Ajo u shpreh se kjo ishte sfida më e madhe e karrierës së saj.