Showbiz

Aktorja e famshme bën deklaratën e papritur lidhur me pandeminë: “Është diçka e mirë, njerëzit e tepërt do të zhduken”

Ajo ka qenë një ndër ikonat e bukurisë në vitet ’50-’60 dhe një aktore mjaft e talentuar që gjithmonë ka ditur si të tërheqë vëmendje. Bëhet fjalë për yllin francez të kinematografisë, Brigitte Bardot e cila së fundmi ka dhënë një intervistë jo fort të këndshme për prestigjosen italiane, “Oggi”.

86-vjeçarja është shprehur se pandemia e COVID-19 është diçka pozitive për të gjithë njerëzimin e mbi të gjitha për planetin ku ne jetojmë. Ajo mendon se Toka është mbipopulluar dhe virusi po përpiqet të vendosë një rend të ri biologjik.

“Kam frikë se COVID-19 dhe viruset e tjera janë duke u përpjekur me dhimbje të vendosin në vend një rend të ri. Këta 5 miliardë njerëz që janë shumë për Tokën do të zhduken, natyra do të fitojë të drejtat e saj. Nëse më pyet a është virusi diçka e mirë? Po, është një mënyrë për të vetë-rregulluar mbipopullimin që nuk e kontrollojmë dot ndryshe”.

Deklarata e saj nuk është pritur dhe aq mirë nga fansat e publiku i gjerë të cilët të habitur nga pandjeshmëria e saj u shprehën se fjalë të tilla janë të papranueshme në një kohë ku mijëra njerëz po humbasin çdo ditë të afërmit e zemrës.