Së fundmi aktori i njohur Kevin Spacey është dërguar me urgjencë në spital nga një festival në Uzbekistan pasi ndjeu të gjithë krahun e tij të majtë të mpirë për rreth tetë sekonda. Ylli i “House of Cards” pasi iu nënshtrua një sërë testesh, përfshirë një MRI, kuptoi që nuk ishte asgjë serioze. Ai u sëmur në qytetin antik të Samarkandit, ndërsa ishte në një turne në Muzeun Afrasiyab dhe u dërgua me urgjencë në Klinikën Diagnostike Innova, ku u trajtua nga mjekët.
Spacey më vonë u kthye në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tashkent, u shfaq në skenë dhe i tha audiencës se shëndeti i tij ishte në gjendje të mirë. Aktori i famshëm rreth katër muaj më parë është liruar nga akuzat për abuzim seksual. I njëjti madje premtoi se do t’i rikthehej aktrimit. Ylli i “K-PAX” është shumë optimist për të ardhmen dhe rikthimin e tij, pasi në atë kohë ai ishte një nga yjet më të mëdhenj në industri dhe fansat e tij vazhdojnë ta mbështesin pas gjithë këtyre viteve.