Aktori i njohur, Reshat Arbana, iu nënshtrua një ndërhyrje të vështirë, por me sukses.
Lajmin e ka dhënë Ministria e Shëndetësisë, e cila thotë se ekipi mjekësor kreu ndërhyrjen përmes një terapie moderne të insufciencës kardiake, duke vendosur tre sonda elektrike në zemër që realizon sinkronizimin e tkurrjes së muskulit të zemrës në tërësi dhe që përmirëson funksionin e zemrës dhe cilësinë e jetës.
Ndërhyrja delikate u realizua nga ekipi i mjekëve kardiologë dhe infermierore të Spitalit Universitar Nënë Tereza, Dr. Shk. Ormir Shurdha, Dr. Mirald Gina dhe infermiere Antuela Shkëmbi dhe Xhoana Xhanaku.
Reshat Arbana lindi më 15 shtator 1940 në Tiranë, Shqipëri. Ai është një aktor teatri dhe filmi. Një nga aktorët më popullorë të kinemasë shqiptare, me mbi 35 role, duke filluar që nga viti 1963.
Ndër rolet më të spikatura në film: Samiu tek Fije që priten 1976, Prefekti tek Gjeneral gramafoni 1978, Bimbashi tek Liri a vdekje 1979, Isa Boletini tek Nëntori i dytë 1982, Ahmeti tek Dora e ngrohtë 1983, Adnani tek Hije që mbeten pas 1985, Aliu tek Binarët 1987, Emili tek Rikonstruksioni 1988, Kuke Memini tek Balada e Kurbinit 1990. Për rolet e Dajlan Beut tek Kush vdes në këmbë 1984 dhe Kryetarit të Këshillit tek Kur hapen dyert e jetës 1986 ka fituar Medalionin e Festivalit të Filmit më 1985 e 1987.
Në maj 2004 u rikthye në skenën e Teatrit Kombëtar me rolin e protagonistit në dramën Streha e të harruarve.
Më 7 tetor 2011 Presidenti i Republikës, Bamir Topi i akordoi zotit Reshat Arbana Urdhrin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Aktorit të shquar të teatrit dhe kinematografisë, i cili me interpretimin mjeshtëror dhe origjinalitetin e tij u bë një artist popullor e shumë i dashur për publikun, rolet e të cilit kanë pasuruar me vlera të reja kulturën kombëtare.”