Aktori i njohur me origjinë shqiptare, Jim Belushi, do të vizitojë Tiranën muajin e ardhshëm. Lajmin e ka bërë të ditur kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj gjatë një takimi me sipërmarrës të huaj, ku ndër të tjera u shpreh se ky është moment i shkëlqyer për të vizituar kryeqytetin shqiptar.
Tirana është këtë vit Kryeqyteti Europian i Rinisë. Është një moment i shkëlqyer për të ardhur në Tiranë. Kemi patur mbi 1 mijë aktivitete kulturore artistike. Ne sapo organizuam festivalin e Dua Lipa-s në Tiranë, Rita Ora kishte koncertin e saj po ashtu. Muajin e ardhshëm do të vijë edhe Jim Belushi në Shqipëri. Edhe ai është shqiptar.
Më tej kryebashkiaku shtoi se aktivitetet e shumta në Tiranë kanë krijuar një energji pozitive që vihet re nga kushdo që po e viziton. Rikujtojmë, se prej kohësh tashmë Jim ka hequr dorë nga aktrimi për t’ju përkushtuar bizneseve private. Gjithashtu, artisti i është përkushtuar edhe kultivimit të marijuanës dhe këtë gjë e ka bërë publike pa asnjë ndrojë. Sakaq, aktori shqiptar i njohur për rolin e tij në serialin “According to Jim”, asnjëherë nuk i ka harruar rrënjët shqiptare.