Një gjykatë në Kaliforni e shpalli aktorin e famshëm amerikan Bill Cosby fajtor për sulm seksual ndaj një të miture. Judy Huth pretendoi se ai e kishte sulmuar seksualisht atë kur ishte adoleshente në vitet 1970. Ajo ishte 16 vjeçe në atë kohë dhe ngacmimi ndodhi në rezidencën Playboy të Hugh Hefner në 1975. Juria vendosi që ajo të dëmshpërblehet me 500,000 dollarë.
Cosby, sot 84 vjeç, vazhdon t’i mohojë akuzat. Huth rrëfeu për takimin me të në një park ku ai po xhironte një film. Pasi u miqësua me Huthin dhe një shoqe, ai thuhet se i ftoi të bashkoheshin me të në klubin e tij të tenisit. Që nga ai moment, pretendoi Huth, komediani i ftoi në një shtëpi ku u shërbeu të rejave pije të shumta alkoolike dhe më pas i çoi në rezidencën e Playboy.
Huth pretendoi se megjithëse Cosby e dinte moshën e saj dhe të shoqes së saj, ai i udhëzoi adoleshentet “që nëse ndonjë prej lepurushëve të Playboy pyeste moshën e tyre, ato duhet të thoshin se ishin 19 vjeçe”. Huth më tej pretendoi se Cosby e çoi atë në një dhomë gjumi në rezidencë ku e ngacmoi seksualisht. Cosby nuk ishte i pranishëm për gjyqin apo vendimin dhe ekipi i tij planifikon të apelojë vendimin. Që nga viti 2005, më shumë se 50 gra kanë paraqitur akuza të ngjashme kundër tij.
Ndërkaq, rikujtojmë se një nga viktimat e abuzuara nga Cosby është edhe Andrea Constand, e cila u takua me aktorin në vitin 2002, ndërsa punonte në “Temple University”. Ajo tha se ai abuzoi me të në vitin 2004, në shtëpinë e tij në Filadelfia. Në dëshminë e saj, gruaja shtoi se aktori i dha tri pilula blu të cilat i tha se do ta ndihmonin për t’u lehtësuar nga stresi.
Dhjetëra gra e kanë akuzuar aktorin në vitet e fundit duke thënë se Cosby i ka droguar dhe sulmuar seksualisht. Në gjyqin e parë, vetëm dy gra u lejuan të dëshmonin, por më vonë gjyqtari lejoi pesë gra të paraqiteshin për të ndarë përvojat e tyre. Asokohe avokatët e Cosby i mohuan të gjitha akuzat, ndërsa aktori refuzoi të fliste kur gjykatësi i dha të drejtën për të folur dhe për të treguar versionin e tij të ngjarjes.