Celebrities Lancio Magazine Music

Aktore, moderatore dhe këngëtare/ Një diva si Klodiana Vata!

E ftuar nëpërmjet një lidhje telefonike në emisionin e sotëm të “Lancio” me Erma Mici ka qenë artistja Klodiana Vata. Klodiana Vata ka nisur të merret me muzikë që në moshë të vogël, ekzaktësisht kur ishte vetëm 6-vjeç. Ajo ka qënë pjesë e disa konkurseve muzikore, ku është vlerësuar edhe me çmime.

Klodiana, e cila ka qënë gjithashtu edhe një nga ish-konkurrentet e “The Voice Kids”, ka marrë pjesë edhe në disa aktivitete jashtë Shqipërisë, ku ka fituar çmimin e parë në Festivalin Ballkanik për Fëmijë, organizuar në Shkup. Ajo ka përfaqësuar Shqipërinë në disa evente muzikore si Paris, Mantova dhe në Brazil. Përveç këndimit, ajo ka qenë edhe moderatore e programit të Top Albania Radio, “Live From Tirana“, dhe aktore.

Rrugëtimi i saj, siç edhe lartpërmendet, është i gjatë dhe i suksesshëm në çdo fushë ku ajo ka marrë pjesë. Si ndihet Klodiana teksa kthen kokën pas në fillimet e saj dhe tashmë që ka krijuar baza më të sigurta?

Kur e kthej kokën pas, që ndodh ta bëj shpesh këtë në çdo hap timin, sepse është shumë e rëndësishme të dish nga ke ardhur dhe të mbash mend çfarë sfidash ke kaluar për të arritur këtu ku je. Të them të drejtën bëhem shpesh nostalgjike, i kujtoj dhe ndihem krenare për veten. Normalisht që kam akoma punë për të arritur aty ku dua, por që kur llogaris të gjithë ato vështirësitë dhe të gjithë ato gjëra që jam përballur, them që ja kam dalë në mënyrën më të mirë. Ndjej nostalgji për atë forcën në shumë situata, që kur i kujtoj tani them ‘ku e kam gjetur atë forcën?’, ose ‘sa mirë e kam menduar këtë gjë’. Ato zgjedhjet janë rezultat i asaj çfarë unë bëj sot dhe normalisht me gabimet e të mirat ndihem mirë dhe gjithmonë mundohem të kujtoj ato momentet. Vështirësitë më së shumti, sepse janë ato të cilat më kanë bërë më të fortë dhe ato të cilat u jam mirënjohëse, sepse nëse nuk do më kishin ndodhur, nuk do të isha rritur dhe nuk do të kisha ndërmarrë vendimet e duhura.

Çfarë do të ndryshonte ajo?

Një gjë që do të kisha bërë ndryshe është se nuk do të kisha marrë përzemër disa situata, të cilat më kanë ndodhur në një periudhë të adoleshencës do thoja, sepse në atë periudhë unë kisha shumë përgjegjësi dhe në kohën kur unë jetoja në Shqipëri, përpara se të vija këtu, ishte moshë delikate. Mund të them 18 vjeç dhe kisha shumë përgjegjësi.

Duke qenë se çdo gjë ka nisur nga këndimi, si e ka ndihmuar kjo gjë Klodianën për të kaluar në një stad tjetër të jetës së saj?

Është një pjesë e pandashme e imja. Kam nisur që në moshën 6 vjeçare. Kështu që, të rritesh në qytetin e Shkodrës me shumë art e me shumë dashuri dhe gjithmonë me njerëz që të frymëzojnë, ka qenë një fat dhe diçka që nuk ka munguar as në shtëpinë time. Muzika ka qenë gjithmonë pjesë e jetës sime dhe më ka ndihmuar shumë dhe më ka rritur si njeri. Mund të them që për ne artistët që e kemi këtë fat, këtë dhunti, e kemi një fat të madh që na shoqëron gjatë gjithë jetës dhe të bën që t’i shikosh gjërat ndryshe.

Nëse edhe juve ju pëlqen kënga “Jetë”, ju mund të vazhdoni ta votoni atë për të qenë pjesë e “The Top List” sa më gjatë.