Aktivistja suedeze e klimës Greta Thunberg ka folur për herë të parë që pas arrestimit të influencerit famëkeq Andrew Tate nën akuzën për trafikim qeniesh njerëzore. Greta tha në një intervistë për ABC News se Tate e ka tallur atë pasi ndihej i kërcënuar nga njerëz si ajo.
Ka aq shumë probleme në botë dhe kemi nevojë për njerëz që të merren me këto çështje. Por, duket se disa njerëz ndihen të kërcënuar nga njerëz si unë, aktivistë të klimës, prandaj ngrenë zërin që të na bëjnë neve të heshtim, ose na tallin. Duhet ta shohim si shenjë pozitive sepse do të thotë që kemi ndikim. Përndryshe, nuk do të shpenzonin kohën e tyre duke na tallur në internet.
Ky koment vjen pas një “lufte” komentesh mes Thunberg dhe Tate, që ka disa muaj që ka nisur, para arrestimit të Tate nga autoritetet rumune. Rikujtojmë, se Greta Thunberg në vitin 2019 u shpall Personi i Vitit nga revista Time. Thunberg, është bërë e njohur në shumë vende kur nisi e vetme një grevë në shkollë për ndryshimet klimatike. Kalimtarët shprehën keqardhje ndërsa panë 15-vjeçaren e ulur në kalldrëm me një pankartë të shkruar me dorë, për reduktimin e efektit serrë.
Një muaj më parë, sistemi rumun i drejtësisë arrestoi një nga personazhet më të diskutueshme të medias online, Andrew Tate. Sipërmarrësi dhe vëllai i tij u arrestuan pasi dyshohet se ishin përfshirë në trafikimin e qënieve njerëzore. Deri më tani, të dy qëndrojnë në paraburgim me refuzimin e ankesës së tyre për lirim. Ekipi ligjor i Tate vazhdon të luftojë për të përmirësuar kushtet e tij ndërsa hetimi vazhdon dhe tashmë dihet se Tate tani mund t’u dërgojë email ndjekësve të tij nga burgu.