Aktualitet

Aktiv zjarri në “Malin e Thatë”, rrezikohet Parku Kombëtar i Prespës!

Prej gati 5 ditësh vijon zjarri në “Malin e Thatë”, ku flakët rrezikojnë Parkun Kombëtar të Prespës. Eshtë ndërhyrë nga toka dhe ajri, duke qenë se shtrirja rezulton me një perimetër shumë të gjatë, por me përmasa jo shumë të mëdha. Dje u aktivizua helikopteri “Coogar”, që mbylli vetëm një vatër të konsiderueshme.

Që në orët e para të mëngjesit janë aktivizuar rreth 80 forca operacionale nga bashkitë Korçë, Maliq, Pogradec, në ndihmë të asaj Pustec.  Pasi të dislokohen e të shohin situatën në vendngjarje, pritet të japin informacion të detajuar e pritet të merret vendim nëse do të kërkohet një ndërhyrje e specializuar nga ajri.

Drejtori i përgjithshëm i DPMZSH, Arben Cara dhe prefekti i Qarkut të Korçës, Nertil Jole ishin së bashku në terren për të parë nga afër situatën e zjarrit. Cara tha se zjarri favorizohet dhe nga era që përhap flakët. Cara deklaroi:

Nëse era do të na favorizojë që të mos jetë aktive gjatë ditës, situata e zjarrit mund të ndërpritet dhe Mali i Prespës të mos preket nga vatra. Në rast se era do ta favorizojë është e mundur që zjarri të depërtojë në Prespë, e cila është dhe një zonë e mbrojtur.

Por, drejtuesit e strukturave operacionale do të bëjnë vlerësimin, në mënyrë që të aktivizojnë ndërhyrjen nga ajri e që zjarri mos depërtojë në Malin e Prespës pasi do të na krijonte probleme më të mëdha sa i përket lokalizimit dhe menaxhimit të saj.

Kemi të bëjmë me një sipërfaqe shkurre, ferra, bar të thatë, të cilën nuk është e mundur që ta menaxhosh me mjete rrethanore.

Vatra zjarri edhe në jug të vendit, në fshatrat Labovë e Madhe dhe Labovë e Vogël në Gjirokastër. Herët në mëngjes, rreth orës 04:00, forcat zjarrfikëse në Gjirokastër u riorganizuan për ndërhyrje në pikat kyçe për mbajtjen nën kontroll dhe izolimin e flakëve ndërsa vijon lufta me to.

Raportohet se në operacion marrin pjesë 37 forca vullnetare nga bashkia, 6 punonjës me kontratë, si dhe 14 efektivë zjarrfikës. Grupet punojnë për izolimin e zjarrit në drejtim të dy Labovave, si dhe për të mos lejuar përparimin e zjarrit drejt malit. Flakët po mbahen nën kontroll. Zjarret janë të shpeshtë në këtë periudhë të vitit, favorizuar dhe nga temperaturat e larta.