Bota

Akte sabotazhi në Francë/ Arrestohen dhjetëra persona, dyshohet se do destabilizonin Lojërat Olimpike!

Siguria në Paris është në nivelet më të larta me qëllim mbarëvajtjen e Lojërave Olimpike. E për të shmangur çdo akt që do cenonte këtë aktivitet të rëndësishëm sportiv, autoritetet franceze thanë se kanë arrestuar dhjetëra persona.

Sipas ministrit të brendshëm francez, Gerald Darmanin, në pranga kanë përfunduar 50 persona të dyshuar për destabilizimin e Lojërave Olimpike.

“Ata kishin planifikuar të kryenin aksione sabotuese ose protesta radikale, gjatë garave të para olimpike, por autoritetet e parandaluan këtë”, tha ministri francez.

Gazeta “Le Parisien” raportoi se 45 prej të arrestuarve po planifikonin të zhvillonin protesta kundër pasojave sociale dhe ekologjike të Lojërave Olimpike.

Zyra e prokurorit të Parisit njoftoi gjithashtu se deri më tani nuk ka asnjë të arrestuar për zjarrvëniet që ndërprenë lëvizjen e trenave të shpejtësisë së lartë, të premten, disa orë përpara ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike, që preku qindra mijëra udhëtarë. Por ministri i Brendshëm Darmanin dha shenja se autoritetet i kishin identifikuar personat që fshihen pas këtij akti sabotazhi.

“Ne kemi identifikuar një sërë profilesh të individëve që mund të kenë kryer këto akte sabotazhi të qëllimshme”, tha ai, duke siguruar se ata shumë shpejt do të përballen me drejtësinë.