Rajoni

Aktakuza për Banjskën në Kosovë, DASH: Të respektohet procesi!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës thanë se “nxisin” respektimin e procesit gjyqësor e të sundimit të ligjit. Kjo pasi Kosova ngriti aktakuzë lidhur me sulmin e armatosur të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

Sa i përket aktakuzës së Kosovës, ne inkurajojmë respektimin e procesit gjyqësor e të sundimit të ligjit dhe për durim teksa ky rast i ndërlikuar procedohet në gjykata. SHBA-të vazhdojnë të mbështesin fuqishëm sundimin e ligjit, drejtësinë e barabartë dhe qeverisjen e mirë në Kosovë, tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.

Nga DASH-i deklaruan se presin që Serbia të kërkojë përgjegjësi të plotë për personat e përfshirë në sulmin e shtatorit të vitit të kaluar. Një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në veri duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.

Gjatë kësaj jave, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 45 personave për sulmin. Kosova e konsideron “terrorist” ndërsa liderët shtetërorë akuzojnë shtetin e Serbisë për organizim të sulmit. Përgjegjësinë e ka marrë Milan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe. Në aktakuzë, ai cilësohet si “kreu i grupit terrorist”.

Ngritja e aktakuzës për sulmin e armatosur në Banjskë është mirëpritur edhe nga Bashkimi Europian, i cili ndërmjetëson dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Nga BE-ja thanë se përgjegjësit duhet të përballen me pasoja, pasi gjyqësori i Kosovës të shpallë vendimin ndaj tyre.

Zëdhënësi i bllokut, Peter Stano deklaroi se vazhdimisht, Brukseli i ka kërkuar Serbisë që të përfshirët në këtë sulm të dalin para drejtësisë. Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç tha dje se autoritetet serbe po e hetojnë sulmin e kryer në Banjskë.

Për Serbinë, ky sulm nuk është “terrorist”. Por, unë nuk dua që të zgjerohem më tej e të shpjegoj përsëri se kush është fajtori për këtë dhe se kush e solli gjendjen e krijuar.

Milan Radoiçiç besohet se gjendet në Serbi. Ndërkaq, të pandehurit e tjerë, sipas aktakuzës, të gjithë janë në arrati me përjashtim të tre personave që tashmë gjenden në paraburgim në Kosovë. Ata janë shtetasit Vladimir Toliç, Bllagoje Spasojeviç, si dhe Dushan Maksimoviç.