Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka dënuar sulmin me vezë që iu bë eurodeputetit Fredi Beleri, teksa po dilte nga ambientet e Kryesisë së Kuvendit.
Në një reagim në ‘Facebook’, teksa i ka bërë thirrje Parlamentit Europian të dënojë aktin ndaj Fredi Belerit, Berisha shkruan se eurodeputetit ‘i mbyllën derën e Parlamentit dhe nuk e lanë të futet deri sa erdhi provokatori’
“Akt rrugaçërie, i denjë vetëm për Edi Ramën! Të dashur miq, në një akt hakmarrje primitive ndaj Fredi Belerit i cili ndodhet në Shqipëri si anëtar i delegacionit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, me urdhër të Edi Ramës, i mbyllën derën e Parlamentit dhe nuk e lanë të futet deri sa erdhi provokatori patronazhist për të agresuar eurodeputetin Beleri. Provokatori pas aktit banditesk u largua i qetë.
Me këtë rast dënoj me forcën më të madhe aktin banditesk të porositur nga Edi Rama ndaj eurodeputetit Beleri në detyrë. I bëj thirrje Parlamentit Europian të dënojë aktin e paprecedent ndaj deputetit Beleri të organizuar nga Edi Rama, i cili pasi i rrëmbeu mandatin e Kryetarit të Bashkisë Himarë dhe e burgosi me dëshmitarë të rremë i organizon me banditë agresionin fizik”-shkruan Berisha.
Një pritje të pakëndshme i rezervuan disa qytetarë Fredi Belerit, i cili ndodhet në Tiranë si një ndër 10 eurodeputetët që ndodhen në Tiranë në kuadër të takimit të 18-të të komisionit ndërparlamentar të stabilizim asociimit.
Tre incidente u shënua me të gjatë kohës që ai hynte dhe dilte nga kryesia e Kuvendit ku delegacioni mbajti takim me deputetët e PD-së dhe të PS-së. Ndërsa një grup të rinjsh protestuan me pankarta në duar.
Teksa vinte 30 minuta me vonesë në takimet që delegacioni i PE po zhvillonte në Kryesinë e Kuvendit, disa qytetarë i kujtuan atij Masakrën e Peshkopisë, dhe njërin prej ushtarakëve që humbën jetën, në një prej ngjarjeve më të rënda për të cilën eurodeputeti grek është akuzuar gjithnjë.
Nga ana e tij kryeministri Edi Rama nuk e priti në kryeministri delegacionin e eurodeputetëve por shkoi në hollin e hotelit ku po qëndronin për t’i uruar mirëseardhjen. Në këtë takim mungoi vetë Fredi Beleri i cili nuk pranoi të komentonte pse nuk u mbajt takimi.
Fredi Beleri do të qëndrojë në Tiranë me delegacionin e Parlamentit Evropian deri të mërkurën (sot), teksa do të marrë pjesë në punimet dyditore të takimit të 18-të të komisionit ndërparlamentar të stabilizim asociimit.