Ndërsa të enjten pritet që sërish të ketë tensione në Kuvend, presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, është shprehur se vetëm përpjekjet e fuqishme të mirëkoordinuara mund të rivendosin Parlamentin në “binarët” kushtetues.
“Vetëm përpjekjet e fuqishme të mirëkoordinuara të Opozitës mund të rivendosin Parlamentin në “binarët” Kushtetues dhe ta bëjnë një Institucion funksional, që të garantojë llogaridhënien dhe asgjë tjetër”, tha ai.
Në konferencën e sotme për media, Meta foli për 5 prioritetet e Partisë së Lirisë, duke u ndalur tek eskportetet.
Ai deklaroi se rënia e lartë e eksporteve në 8-mujorin e vitit 2024 është treguesi më i qartë i tkurrjes ekonomike në sektorët e prodhimit të të mirave materiale, ndërsa u zotua se me programin e PL, do të garantojnë një rritje të eksporteve në masën mbi 50% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
“Meqënëse jemi tek eksportet, që janë treguesi më I mirë I dobësisë së ekonomisë së vendit tonë dhe I rreziqeve të mëdha për të ardhmen, përsëri duke ju referuar INSTAT, është e qartë se edhe të dhënat më të fundit tregojnë krizën e rënies të pandalshme të eksporteve në krahasim me vitin e kaluar.
Rënia e lartë e eksporteve në 8-mujorin e vitit 2024 është treguesi më i qartë i tkurrjes ekonomike në sektorët e prodhimit të të mirave materiale.
Rënia e eksporteve është gjithashtu prej dëmit që po i shkaktohet sipërmarrjes nga zhvlerësimi i qëllimshëm i euros kundrejt lekut.
Eksportet në 8-mujorin e vitit 2024 u realizuan në 255 miliard lekë, kundrejt 300 miliard lekë që ishin një vit më parë, pra kemi një rënie të eksporteve për 8 muajt e këtij viti në raport me vitin e kaluar prej15%, që është një rënie e konsiderueshme.
Rënia e lartë e eksporteve ka thelluar më shumë bilancin negativ të tregtisë në 8-mujorin e vitit 2024.
Bilanci tregtar në 8-mujorin e vitit 2024 rezulton minus 340 miliard lekë, kundrejt një bilanci negativ në minus 277 miliard lekë në të njëjtën periudhë të vitit 2023 dhe me një përkeqësim të bilancit në total në rreth 23%.
Njëkohësisht përqindja e mbulimit të importeve me eksportet është përkeqësuar në këtë 8 mujor, nga 52% që ishte vjet, në 43% aktualisht në vitin 2024 për të njëjtën periudhë.
Rënia e lartë e eksporteve të vendit nuk mund të kompensohet me përfitimet e «fryra» nga turizmi dhe as të mbulojë krizën që po kalon ekonomia e vendit si rezultat i politikave të papërgjeshme të Qeverisë kundrejt sipërmarrjes dhe njëkohësisht si rezultat I politikave të saj për përkeqësimin e klimës së biznesit.
Ky model ekonomik i vendit ka nevojë për përmbysje radikale.
Shqipëria fuqi eksportuese, është një nga 5 prioritetet kryesore të Partisë së Lirisë.
Dhe përmes programit tonë ne do të garantojmë një rritje të eksporteve në masën mbi 50% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga vetëm 8% që është sot dhe nga 57% që e ka sot Maqedonia e Veriut fqinje, që nuk ka as dalje në det dhe nga 70% që është mesatarja e vendeve të BE-së.
Dhe për të arritur këtë gjë, pra Shqipërinë Fuqi Eksportuese, pa asnjë diskutim, investimi në Arsim dhe Kapitalin Njerëzor është vendimtar”, tha Meta.