Aktualitet

Aksidenti tragjik në rrugët e Greqisë i merr jetën të riut shqiptar!

Aksident rrugor vdekjeprurës në Halkidiki të Greqisë, viktimë mbeti një i ri shqiptar. Në aksin Nea Fokaia-Sani, Roberto Pojani nga Maliqi humbi kontrollin e mjetit që drejtonte dhe u përplas me një pemë. 25 vjeçari udhëtonte i vetëm në makinë. Policia greke po heton shkaqet e aksidentit tragjik.

Ndërkohë, në vendin tonë, sot dy persona mbetën të plagosur në një aksident në aksin Korçë-Bilisht. Një automjet tip “Ford” doli nga rruga e për pasojë u dëmtuan drejtuesi dhe pasagjeri që udhëtonte me të.  Të lënduarit u dërguan në spital për trajtim mjekësor të specializuar. Po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi policor: 

Shtetasi A.M., duke drejtuar automjetin tip “Ford”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe automjeti ka dalë nga rruga. Për pasojë janë dëmtuar drejtuesi i automjetit dhe pasagjeri I.M., të cilët u dërguan për mjekim në spital. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Dje ishte një ditë e zezë në rrugët e Durrësit. Një 22-vjeçar ndërroi jetë në lagjen nr.4 të qytetit bregdetar pranë vendit të njohur si Ura e Dajlanit. I riu po udhëtonte me makinë kur u përplas lehtë me trafik ndarësen. Nga hetimet dyshohet se pësoi arrest kardiak gjatë drejtimit të automjetit e për fat të keq humbi jetën.

Njoftimi i policisë: 

Rreth orës 20:45 (22 qershor), në lagjen nr. 4 të Durrësit, te “Ura e Dajlanit”,  automjeti me drejtues shtetasin A.H., 22 vjeç, është përplasur lehtë me trafik ndarësen. Nga veprimet e para dyshohet se drejtuesi i automjetit  ka pësuar arrest kardiak  gjatë drejtimit të automjetit dhe për pasojë ka humbur jetën. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Në Hamallaj, humbi jetën një 16-vjeçar dhe u plagos një i ri 20-vjeç nga përplasja e dy makinave. I mituri Alban Hasrama udhëtonte si pasagjer në njërin prej mjeteve. Në njoftimin e një dite më parë, policia theksonte:

Rreth orës 15:40, në Hamallaj Durrës, automjeti me drejtues shtetasin O.M., 25 vjeç është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin E.K., 20 vjeç. Si pasojë e përplasjes është dëmtuar shtetasi E.K,  i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe ka humbur jetën në spital pasagjeri shtetasi A.H., 16 vjeç, që ndodhej në automjetin që drejtonte shtetasi E.K. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.