Aktualitet

Aksidenti në Lushnjë, ende nuk gjendet shoferi i makinës/Nëna e traumatizuar pyet për djalin!

Një aksident i rëndë është shënuar mbrëmjen e djeshme në aksin Lushnjë-Rrogozhinë, në afërsi të fshatit Konjat. Raportohet se një automjet tip “Ford” që drejtohej nga shtetasi Fabjol Ibraliu ka dalë nga rruga, duke përfunduar në afërsi të banesave, por më parë, Ibraliu u përplas me makinat e tjera që ndesheshin në anë të rrugës.

Korrespondenti i Top Channel në Lushnjë, Bledar Korreshi, raportoi mbrëmjen e djeshme se forcat e kërkimeve mbërritën në vendngjarje për të gjetur drejtuesin, i cili nuk dihet se ku është dhe as mëngjesin e sotëm nuk ka një shenjë prej tij. Policia dhe zjarrfikësit kanë kërkuar deri në orën 04:00 të mëngjesit, por pa asnjë rezultat.

Në një video të siguruar nga Top Channel shihet nëna e drejtuesit të mjetit të zhdukur, e cila kërkon të birin dhe pyet autoritetet se ku është ai. Mes të bërtiturave dhe ulërimave ajo thotë se djali i saj ka vdekur. Një punonjës përpiqet ta qetësojë, duke i thënë se i biri nuk është në makinë dhe u largua nga vendi i ngjarjes. Nga trauma e pësuar, gruaja humbi dhe ndjenjat.

Nuk përjashtohet ende mundësia që Fabjol Ibraliu të jetë gjallë dhe se pas aksidentit mund të jetë ndihmuar, por këto ende mbeten hipoteza. Mësohet se drejtuesi i mjetit ka dërguar babin në punë dhe më pas është nisur drejt punës së tij. Në pamjet e siguruara shihet se makina ka dëme të shumta dhe se ai ka qenë me një shpejtësi prej 160k/h.