Aktualitet

Aksidentet rrugore në rritje, INSTAT: 123 në prill, 78% më shumë se në 2023!

Nga viti në vit numri i aksidenteve rrugore vijon të rritet. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, vetëm në muajin prill janë regjistruar 123 aksidente, shifër kjo 78% më e lartë se prilli i vitit të shkuar.

Ekspertët e statistikave kanë nxjerrë në pah se në këto aksidente kanë mbetur të lënduar 164 persona, disa prej të cilëve kanë ndërruar jetë.

Ata bëjnë me dije se përpos numri në rritje të aksidenteve, vdekshmëria ka ardhur në ulje.

Në 4 muajt e parë të vitit 2024 vdekshmëria në aksidentet rrugore është 10,8 për 100 aksidente, nga 17,8 që ishte në  të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Moszbatimi i rregullave të qarkullimit rrugor dhe veçanërisht shpejtësia tej normave të lejuara është shkak i aksidenteve në 84,6 % të rasteve.

Numri më i lartë i aksidenteve është kryer nga grupmosha 25-34 vjeç, duke zënë 29,3 % të numrit të aksidenteve gjithsej.

Në muajin prill 2024, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur ditën e hënë me 23,5 %, ndërsa numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur në ditën e shtunë, me 9,8 %.