Aktualitet

Aksident tragjik në Lushnjë, një 29-vjeçar humbi jetën!

Aksident tragjik në aksin Lushnjë-Fier, me një viktimë, që u identifikua pas shumë orësh verifikime pasi trupi i tij i pajetë u gjet brenda një makine, të marrë me qira në emër të shtetasit Ariol Rista. Por, verifikimet e thelluara dhe hetimi zbuluan se bëhet fjalë për të riun 29-vjeçar nga Divjaka, i identifikuar si Erjon Fredi Kuka.

Pasi kishte dalë nga rruga kryesore në Krutje, te vendi i quajtur “Sheshpushimi i shoferit”, fillimisht makina ishte përplasur me një shtyllë elektrike dhe më pas me një strukturë betoni e murin anësor të një kanali aty pranë.

Trupi i viktimës, u gjet pak pas mesnate mbi timon, në kanalin anësor të rrugës ndërsa është dashur një orë punë nga zjarrfikësit dhe policia për ta nxjerrë e dërguar në morg, për procedura autopsie. Burime policore thanë se nga verifikimet e para rezultoi se autovetura tip “BMW”, me targa AB507DT, ishte e marrë me qira, teksa u zbulua më tej se emri i gjetur në regjistrin e kompanisë nuk ishte i njëjtë me të viktimës.

Sipas dinamikës fillestare të vendngjarjes, dyshohet se shoferi ka qenë me shumë shpejtësi dhe mjeti ka dalë nga rruga kryesore në fshatin Zhymë, duke kryer përplasje e rrokullisje, teksa është dëmtuar tërësisht duke u shembur në kanalin anësor, pranë murit të një banese.

Dinamika e aksidentit mbetet ende e panjohur. Nuk dihet nëse ka pasur pakujdesi në drejtim dhe shpejtësi tej normave që nxori makinën jashtë rruge duke u përplasur me shtyllën e më tej kanalin anësor të betonit apo faktorë fizikë shëndetësorë, si përgjumja, konsumi i alkoolit dhe simptoma shëndetësore.

Po priten rezultatet paraprake të autopsisë dhe ekspertiza e detajuar nga hetuesit. Policia tha se hetimet për shkaqet dhe rrethanat janë aktive.

Oficerët po marrin në pyetje edhe përfaqësues të kompanisë së mjeteve me qira, për të mësuar të dhëna të tjera dhe pse ai ka përdorur dy identitete. Policia raportoi se trupi ndodhet në morgun e Lushnjës. Do hetohet edhe rreth të kaluarës së 29-vjeçarit, nisur nga dyshimet për emrin e ndryshëm në regjistrin e kompanisë. Autovetura ishte copëtuar plotësisht dhe shtypur.