Aksident rrugor me pasojë plagosjen e dy të miturve në Shkodër. Në aksin Shkodër-Hani i Hotit, një automjet me drejtues një shtetas 21 vjeç, sot përplasi motorin që drejtohej nga një 14 vjeçar e me të udhëtonte si pasagjer një bashkëmoshatar. Që të dy mbetën të plagosur dhe u dërguan për ndihmë mjekësore, nën kujdesin e personelit shëndetësor. Policia njofton se janë jashtë rrezikut për jetën.
Shkodër/Informacion paraprak. Në aksin rrugor Shkodër-Hani i Hotit automjeti me drejtues shtetasin A. P., 21 vjeç, ka përplasur motomjetin me drejtues një të mitur 14-vjeçar.
Si pasojë janë dëmtuar dy të mitur 14-vjeçarë, që po lëviznin me motomjet, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.
Vitin e kaluar, numri i aksidenteve rrugore shkaktuar nga drejtuesit e mjeteve me leje drejtimi 0-3 vjet ka rënë me 12.9%, krahasuar me një vit më parë, pra 2022-shin. Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi raportin mbi aksidentet për vitin 2023.
Drejtuesit e mjeteve me mbi 9 vite leje drejtimi kanë shkaktuar 40% të aksidenteve, ndjekur nga kategoria 6-9 vjet leje drejtimi që zë 18.8%. Ndër të aksidentuarit (të vrarë dhe të plagosur) gjatë tre viteve të fundit, meshkujt zënë rreth 70% të të aksidentuarve gjithsej.
Drejtuesit e mjeteve të moshës 25-34 vjeç, shkaktojnë numrin më të lartë të aksidenteve, ku të aksidentuar janë më shumë meshkuj 71% dhe 29% femra. Megjithatë vihet re se janë meshkujt ata që zënë përqindjen më të lartë të të aksidentuarve për çdo grupmoshë të drejtuesit, duke lënë të kuptojmë se drejtuesit meshkuj janë ata që kryejnë pjesën më të madhe të aksidenteve rrugore.
Më 2023-shin, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur gjatë ditës së shtunë dhe të diel me 194 aksidente secila, duke zënë përkatësisht 15,1% të aksidenteve gjithsej. Numri më i lartë i aksidenteve ka ndodhur gjatë intervalit kohor 08:00 – 12:00.