Aktualitet

Aksident rrugor me vdekje në Delvinë!

Një aksident rrugor me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur në aksin Delvinë-Kardhiq. Ka qenë një grup motorristësh që udhëtonte në zonë, kur në vendin e quajtur “Kthesa e Senicës”, një prej tyre ka dalë nga rruga. Si pasojë e rënies së motorrit, humbi jetën shtetasi Astrit Lamaj, 53 vjeç.

Pavarësisht vajtjes së autoambulancës në vendin e ngjarjes, për fat të keq nuk u bë dot i mundur shpëtimi i tij. Policia ndodhet në vendin e ngjarjes për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të aksidentit me pasoja fatale.

Delvinë/Informacion paraprak

Sot rreth orës 11:30, në aksin rrugor “Skërficë-Fushë Vërri”, gjatë lëvizjes së një grupi motorristësh, njëri prej motomjeteve që drejtohej nga shtetasi A. L., 53 vjeç, banues në Durrës, është përplasur me barrierat mbrojtëse të rrugës dhe ka dalë nga rruga. Për pasojë ka ndërruar jetë drejtuesi i motomjetit shtetasi A.L.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, ku paraprakisht dyshohet se 53-vjecari ka humbur kontrollin mbi drejtimin e motomjetit.

Më herët gjatë ditës, një aksident ndodhi në aksin Lezhë-Laç në afërsi të kryqëzimit të Shëngjinit. Një automjet tip Audi u përplas me shtyllën e ndriçimit të rrugës, por fatmirësisht nuk pati persona të lënduar. Ndërkohë policia nisi hetimet për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të këtij aksidenti.

Nga viti në vit, numri i aksidenteve në vend po vjen në rritje. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT-i, në tre muajt e parë të këtij viti janë regjistruar 337 aksidente rrugore nga 263 që kanë ndodhur për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke shënuar kështu një rritje me 43,3% të aksidenteve vetëm për këtë tre mujor.

107 aksidente me 147 persona të lënduar, disa me pasojë vdekjen, kanë ndodhur vetëm në muajin mars. Ekspertët e statistikave bëjnë me dije se përgjatë tremujorit të parë të vitit 2024, vdekshmëria në aksidente rrugore është 9 për 100 aksidente, ndërsa në të njëjtën periudhë të një viti më parë ishte 17,5 për 100 aksidente rrugore.

Aksidente kanë ndodhur në të gjitha rrugët e Shqipërisë, duke përjashtuar Qarkun e Dibrës, i cili është i vetmi ku përgjatë marsit nuk ka ndodhur asnjë aksident. Ndërkaq, kryesojnë Tirana dhe Lezha, me numrin më të lartë.