Aktualitet

Aksident rrugor me një viktimë në Vlorë!

Aksident rrugor me vdekje në Vlorë. Një 35-vjeçar ndërroi jetë në fshatin Babicë e Madhe pasi humbi kontrollin e motorit që drejtonte. Rrëzimi i kushtoi jetën rreth orës 03:15 minuta të mëngjesit të sotëm. Për zbardhjen e rrethanave të aksidentit tragjik, vijojnë hetimet e autoriteteve.

Vlorë/Informacion paraprak

Rreth orës 03:15, në fshatin Babicë e Madhe, shtetasi F.R, 35 vjeç, duke drejtuar motomjetin, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e motomjetit, ku si pasojë është rrëzuar dhe ka humbur jetën në vendngjarje. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

Në muajin prill, numri i aksidenteve rrugore në vendin tonë ishte 123, me rritje mbi 78% në raport me prillin e vitit 2023, sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Instituti i Statistikave. Referuar publikimit si 4-mujor, në total, numri i aksidenteve rezultoi 500 nga 332 në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në publikimin e INSTAT-it thuhet:

Në muajin prill të vitit 2024 numërohen 123 aksidente rrugore, nga të cilët 164 janë të aksidentuar (të vrarë dhe të plagosur). Gjatë 4-mujorit të parë 2024, vdekshmëria në aksidente rrugore është 10,8 për 100 aksidente, nga 17,8 që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Pas një periudhe me ulje aksidentesh, kryesisht e vënë re gjatë vitit të shkuar, duket se këtë vit, tendenca është në drejtim të kundërt, ku muaj pas muaji, aksidentet rrugore kanë shënuar rritje. Po sipas të dhënave, si shkak kryesor për aksidentet veçohet sjellja e shoferëve në timon, ndërkohë që grupmosha më problematike vlerësohet se është ajo mes 25 e 34 vjeç.

Në 84,6% të rasteve, aksidentet rrugpre kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i tyre, në këtë periudhë, është kryer nga grupmosha 25-34 vjeç, duke zënë 29,3% të numrit të aksidenteve gjithsej.

Në muajin prill 2024, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur ditën e hënë me 23,5%, ndërsa numri më i ulët i aksidenteve është shënuar në ditën e shtunë, me 9,8%. Po ashtu, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur gjatë harkut kohor 08:00-12:00, duke zënë 21,1% të numrit të aksidenteve rrugore gjithsej, referuar njoftimit të INSTAT-it.